Lezhë: Akuzohen Për Falsifikim Të Kartëmonedhash, Arrestohen Tre Të Rinj
LEZHË, 29 qershor/ATSH-G. Marku/ - Policia arrestoi të martën tre të rinj të dyshuar se kanë falsifikuar, në bashkëpunim, një sasi kartëmonedhash, bëri të ditur policia lokale.
Burime zyrtare nga policia e Lezhës thanë se të arrestuarit janë Marjan Doçaj, 19 vjeç, banues në fshatin Fushë-Kuqe, Kurbin, si dhe dy 17 vjeçarët me iniciale J. N dhe T. M, banues në të njëjtën komunë.
Sipas të njëjtit burim, arrestimi i tyre u bë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur një sasi prej 20 copë kartmonedha të falsifikuara, të cilat i kanë prodhuar në banesën e shtetasit me inicialet J. N, në fshatin Gurrëz, Kurbin. Prodhimi i kartëmonedhave ishte bërë me anë të skanimit me një kompjuter, sipas të njëjtave burime.
Kartmonedhat e falsifikuara, Marjan Doçaj dhe T.M, i kanë përdorur në një kompjuter lojrash fati në qytetin e Laçit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32 kartmonedha me prerje 1000 lekëshe të falsifikuara, 5 kartmonedha të rregullta që shërbenin për të prodhuar të fallsifikuarat,1 skaner,1 kompjuter dhe pajisje kancelarie, bën të ditur policia./ch/