English

Mbrojtja E Fëmijëve- Praktika Të Reja Pune Për Shërbimet Sociale Në Bashki

TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/- Një protokoll i ri do të udhëheqë punën e punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve, të cilët prej katër vitesh janë instaluar në 16 njësi vendore, ku koordinojnë rastet e fëmijëve në rrezik, viktima të dhunës, shfrytëzimit dhe trafikimit. Përveç përgatitjes së projektligjit për të Drejtat e Fëmijëve, që do të miratohet së shpejti, menaxhimi i sistemit të mbrojtjes për fëmijët nga format e ndryshme të abuzimit, po specifikohet më tej. Teknika e projektuar në këtë protokoll, sipas delegates së Misionit "Terre des hommes", Sandrine Constant, "veç punonjësve të njësive për mbrojtjen e fëmijëve, që janë shumë afër komunitetit, do të ndihmojë të gjithë aktorët e përfshire të krijojnë praktika të punës në ekipe shumë-disiplinore, të zbatojnë një sistem të menaxhimit të rasteve për të identifikuar, kryer dhe shqyrtuar ndërhyrje mbrojtëse për fëmijët". Zv/ministrja e Punës, Filloreta Kodra, vlerësoi se "ky është një botim i rëndësishëm pasi paraqet bazën për një përkujdesje të mirëorganizuar dhe të vazhdueshme për fëmijët në njohjen e të drejtave dhe të detyrave që lindin në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga fenomene që cënojnë mirëqenien e tyre". Kodra bëri të ditur se në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, do të vijohet ndërmarrja e iniciativave me karakter ligjor, me qëllim forcimin e mbrojtjes institucionale të fëmijëve. Nga ana e tij, Drejtuesi i UNICEF, Detlef Palm, vlerësoi se Qeveria e Shqipërisë po ecën me përkushtim në parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve, një fenomen me të cilin po përballen sot çdo shtet modern. Duke vlerësuar përgatitjen e projektligjit për të Drejtat e Fëmijëve, Palm tha se bazuar në këtë edhe ligje të tjera "ndërhyrjet për mbrojtjen e fëmijëve duhet të fokusohen në sektorët më të ndjeshëm, mbi fëmijët më të përjashtuar, të varfër", duke shtuar se këtë identifikim e bëjnë Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve. Të pranishmit në këtë aktivitet theksuan se aktualisht nevojitet një menaxhim më i mirë dhe efikas në trajtimin e fëmijëve. Ata gjykuan se edhe strukturat e pushtetit vendor, veçanërisht ato në nivel qarku, duhet të jenë më të përfshirë në procesin e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të politikave sociale që kanë të bëjnë me fëmijët. Protokolli i Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, i publikuar sot, është realizuar nga ministria e Punës, me mbështetjen e UNICEF dhe Fondacionit "Terres des hommes"./s.s./
KOMENTE