English

Parandalimi Dhe Zbulimi I Hershëm I Kancereve Tek Femrat Shpëton Jetë

- Specialistët e shëndetësisë diskutojnë mbi hartimin e Planit të Veprimit për kancerin e gjirit dhe atë cervikal - TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Parandalimi dhe zbulimi i hershmëm e kancerit të gjirit dhe atij cervikal tek femrat shpëton jetë, ndaj krahas trajtimit, vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet dhe parandalimit të këtyre patologjive. "Një kancer i shpëtuar në fazë të hershme mund të kurohet shumë mirë dhe me metoda kurimi shumë më pak agresive", tha sot për ATSH-në onkologu Shahin Kadare. Sipas tij, kanceri i gjirit dhe ai i qafës së mitrës përbëjnë një ndër problemet më madhore të shëndetit publik për gratë. Kanceri i gjirit zë vendin e parë tek gratë dhe përbën rreth 18 % të tumoreve malinje, ndërsa ai cervikal përbën rreth 6.2 % të numrit total të tumoreve malinje. "Janë tumore në rritje, por kemi avantazhin e madh që sot ekzistojnë metoda që këto tumore mund të diagnostikohen në faza të hershme", tha Kadare. Nga ana tjetër, sa i përket rasteve të reja të zbuluara, ai pohon se nga kanceri i gjirit zbulohen rreth 400 raste të reja në vit dhe nga kanceri cervikal 80-100 raste të reja. Sa i takon vdekshmërisë, nuk ka të dhëna të sakta, por në shifra përllogaritet që kanceri i gjirit zë vendin e dytë në Shqipëri pas sëmundjeve kardiovaskulare. Krahasuar me vendet e rajonit dhe Europës, në përgjithësi në vend regjistrohen shifra më të ulëta, çka shpjegohet me moshën e re mesatare të popullsisë shqiptare. "Kemi përqindje të madhe nën moshën 40-45 vjeçare, por me rritjen e moshës mesatare incidenca do të ketë rritje, ndaj duhet të marrim masat që të përballojmë barrën e sëmundjes në vitet e ardhshme", tha Kadare. Ndërkohë, kontrolli i kancerit tek femrat është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të këtyre dy elementëve të rëndësishëm, sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së tij, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në seminarin e zhvilluar sot në Hotel "Tirana International" për hartimin e Planit të Veprimit për Kanceret tek femrat. Aktualisht, në vend funksionon Komiteti Kombëtar i Kontrollit të Kancerit, që drejtohet nga zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, një ndër objektivat e të cilit është pikërisht përpilimi i një strategjie të përballimit të problemit. "Ky dokument do të na ndihmojë në dy drejtime; shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe racionalizim shpenzimesh dhe energjish, që do të duhet të përdoren në mënyrë efikase në drejtime të tjera", theksoi Vasili. Kontrolli i faktorëve të riskut, depistimi dhe zbulimi i hershëm, diagnostikimi dhe trajtimi mjekësor dhe shërbimi paliativ ndaj të sëmurit, janë shtyllat kryesore ku mbështetet Strategjia e Kancerit, nënvizoi më tej ministri i Shëndetësisë, sipas të cilit, "parandalimi e dispistimi, si dhe zbulimi i hershëm i kancerit janë kyçi për të patur sukses të mëtejshëm". Element mjaft i rëndësishëm janë dhe fushatat e ndërmarra, të cilat kanë ndihmuar për sensibilizimin e grave dhe vajzave për t'u depistuar. Po kështu, rajonizimi i vazhdueshëm i shërbimit, sipas nivelit dhe mundësive, do të thotë ofrim i shërbimit edhe në spitalet e mëdha rajonale dhe trajtim të pjesës më të specializuar në shërbimin e onkologjisë, është një element kyç në zgjidhjen e problemit. Në seminar u diskutua mbi problematikat dhe situatën aktuale në vend, ndërsa u sollën përvoja nga vende të tjera. Zv.ministri Spahia vlerësoi se seminari është një shtysë e madhe dhe ndihmëse për disa veprime të rëndësishme që MSH ka ndërmarrë në kontrollin e kancerit në Shqipëri, siç është dhe përgatitja e Strategjisë kombëtare, por dhe për planet e veprimit për të katër shtyllat e saj. Deputeti Tritan Shehu, anëtar i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësinë, bëri me dije se në prill të vitit 2011 do të organizohet në Tiranë një Konferencë për Kontrollin e Kancerit, nga MTCC (Mediteranian Task Force for the Control of the Cancer), MSO (Mediteranian School of Oncology), Shoqatat Shqiptare të Onkologjisë, Gasteroenterologjisë, Kirurgjisë, Anestezi-Reanimacionit dhe e Dhimbjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, OBSH, Koperacionin Italian etj, si dhe me mbështetjen e shumë grupeve, që operojnë në këtë sektor. /s.s./
KOMENTE