Përpjekje Të Përbashkëta Ndërrajonale Për Mbrojtjen E Mjedisit
- U zhvillua në Mavrovo (Maqedoni) Konferenca ndërministrore "Ruajtja e Biodiversitetit të Ballkanit brenda parimeve të qëndrueshme dhe në kushtet e ndryshimeve klimatike"-
TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Çështjet e mjedisit, ndryshimit të klimës dhe mbrojtjes së biodiversitetit dhe përpjekjet e përbashkëta të vendeve të rajonit të Ballkanit për rritjen e bashkëpunimit mes tyre ne kete drejtim u diskutuan në Konferencën ndërministrore rajonale "Ruajtja e Biodiversitetit të Ballkanit brenda parimeve të qëndrueshme dhe në kushtet e ndryshimeve klimatike", mbajtur dje në Mavrovë, (Maqedoni).
Të pranishëm ishin ministrat e mjedisit të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, përfaqësues të Malit të Zi dhe Kroacisë, Ann Marie Ali, zv/koordinatore e OKB-së, përfaques të shoqatave dhe qendrave ekologjike dhe për mbrojtjen e mjedisit.
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, tha se "politikat e reja në mbrojtjen e natyrës, parandalimin e ndotjes, ndryshimin e klimës, prodhimin e energjisë dhe monitorimin e mjedisit, jane disa nga arritjet kryesore vitet e fundit".
Duke vënë në dukje ndikimet e ndryshimeve klimatike në sektorë të ndryshëm, Mediu kërkoi marrjen e masave, në mënyrë që "të reduktojmë ndikimin e zhvillimit dhe presionit njerëzor mbi natyrën dhe ekosistemet, së bashku me masat për të përshtatur dhe zbutur efektet e ndryshimit të klimës".
Ai shprehu më tej sigurinë se efektivitetiti i masave tona kombëtare do të rritet, nëse merren në menyre të harmonizuar brenda dhe me vendet fqinje.
Në sektorin e biodiversitetit, sipas tij, qëllimi është rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura ne shifrat e ngjashme me vendet e Bashkimit Europian. Duke u ndalur në këtë drejtim, Mediu nënvizoi përpjekjet e ndërmarra në drejtim të përafrimit të legjislacionit mjedisor.
Ai cilësoi bashkëpunimin e mirë me vendet fqinjë për mbrojtjen e mjedisit në menaxhimin e integruar si për liqenin e Shkodrës me Malin e Zi dhe me Maqedoninë për liqenin e Prespës. "Për të ardhmen, plani yne kombëtar synon krijimin e zonave të tjera të mbrojtura në kontekstin ndërkufitar", u shpreh Mediu, duke cilësuar ekosistemet e Alpeve dhe Korabit si dy zona nderkufitare te identifkuara si ekosisteme te fuqishme per menaxhimin e integruar.
Në fund te konferences u firmos një deklaratë e përbashkët e ministrave për "Ruajtjen e Biodiversitetit të Ballkanit brenda parimeve të qëndrueshme dhe në kushtet e ndryshimeve klimatike"./n.m/