English

Përurohet Rikonstruksioni I Godinës Së Komunitetit Mysliman

- Projekti me vlerë rreth 250 mijë euro u financua nga Fondacioni turk për Zhvillim (TIKA) - TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Rikonstruksioni i godinës 90-vjeçare të Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), me një vlerë rreth 250 mijë euro, financuar nga Kryesia e Administratës Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim (TIKA), u përurua sot pasdite gjatë një ceremonie. Drejtori i TIKA-s, Musa Kulaklikaya, kryetari i KMSH-së, Selim Muça dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, pas prerjes së shiritit të përurimit të rikonstruksionit të kësaj godine, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve duke e vënë theksin tek thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e kulturës. Drejtori i TIKA-s, Musa Kulaklikaya, duke vënë në dukje se shoqëritë e dy vendeve e kanë ndërtuar bashkë të kaluarën e tyre, e konsideroi investimin e fondacionit turk "një shembull solidariteti". "Ne kemi vlerat tona të përbashkëta që i kanë dhënë formë historisë sonë dhe si i tillë është figura e Sami Frashërit, i cili ka vlera të veçanta për historinë turke", tha drejtori i TIKA. Duke përfituar nga prezenca në këtë ceremoni e kreut të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Reshat Bardhi, z. Kulaklikaya tha se së shpejti TIKA do të bëjë zbukurimin e qendrës së bektashinjve në Tiranë, ku do të tregohen vlerat e përbashkëta kulturore të dy popujve. "Njerëzimi sot kërkon paqe dhe qetësi, ndaj dhe duhet të ketë një klimë dhe mjedis mjaft të mirë të tolerancës, sidomos në ato vende ku bashkëjetojnë fe dhe etni të ndryshme. Komunitetet e ndryshme fetare në Shqipëri bashkëjetojnë më së miri", tha Drejtori i TIKA-s. Ministri i TKRS-së, Xhaferraj, pasi vlerësoi investimin e palës turke, bëri të ditur se së shpejti TIKA do të fillojë rikonstruksionin e objekteve të kultit mysliman në Shqipëri, ndërsa janë shprehur të gatshëm për të parë mundësinë e financimit të ngritjes së një universiteti mysliman në vend. /a.ke/
KOMENTE