Tiranë, 29 qershor, NOA – Pas përgjigjes së kryebashkiakut Edi Rama se auditimi i fondeve të buxhetit të bashkisë nga prefektura është kërcënim ndaj qeverisjes së kryeqytetit, ka reaguar sot edhe prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i cili nënvizon se prefektura po ushtron detyrën e saj.
Në letrën që Prefekti i Tiranës i ka dërguar Bashkisë së Tiranës shkruhet se “Auditimi i Bashkisë Tiranë është në kompetencë të Prefektit të Qarkut Tiranë, ashtu siç kontrollohet dhe auditohet çdo organ i Qeverisjes Vendore të Qarkut Tiranë dhe jo vetëm për fondin e veçantë, ndaj këtu nuk ka synim për ndërhyrje apo cënim të kërkesave tuaja ligjore”.
Prefekti sqaron më tej në letrën e tij se “kërkesa për auditim në Bashki i referohet vetëm kontrollit financiar për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit, dhe këto janë përpjekje të Bashkisë për të mos zbatuar ligjet në fuqi”.
"Në kërkesën tonë ne ju jemi referuar vetëm akteve ligjore në fuqi, të cilat parashikojnë më së miri kompetencën ligjore të kontrollit financiar. Gjithashtu më duhet t’ju ritheksoj se ushtrimi i auditimit dhe kontrollit financiar nuk përbën kërcënim por ushtrim kompetencash ligjore, të cilave ju në mënyrë të përsëritur mundoheni t’i shmangeni. Përpjekja juaj për të justifikuar mospërmbushjen e detyrimeve tuaja ligjore si sulme politike nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e qartë që tregon se Bashkia Tiranë qeveriset nga ju në mospërputhje të thellë të ligjeve dhe si rrjedhojë edhe në shkelje të plotë të tyre”, shkruan në letrën e tij dërguar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Prefekti i kryeqytetit, Keltis Kruja.
mit/NOA