English

Ps: Qeveria Po Cënon Autonominë Vendore

TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Maela Marini/- Partia Socialiste deklaroi sot se "qeveria po cënon autonominë vendore". Përmes një deklarate për shtyp, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Eduard Shalsi, tha se "nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa demokraci vendore". Sipas tij, "raportet e qeverisjes kombëtare me qeverisjen vendore janë një test që dëshmon për shkallën e zhvillimit demokratik të një vendi, pasi qeverisja vendore është një element thelbësor për çdo shoqëri demokratike". "Sjellja e Sali Berishës ndaj bashkive dhe komunave në përgjithësi, por sidomos vendimet e marra kundër bashkive kryesore, dëshmojnë se urrejtja dhe hakmarrja politike janë boshti mbi të cilin mbështetet e gjithë veprimtaria e qeverisë", tha Shalsi. Ai tha se "Shqipëria vazhdon të jetë e fundit në rajon përsa i përket treguesve që shprehin shkallën e decentralizimit fiskal, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e grantit të pushtetit vendor për vitin 2010 do t'i shmanget aplikimit të formulës që garanton barazinë dhe ndarje të drejtë midis njësive vendore". "Një numër i madh vendimesh qeverie kanë ndërhyrë në mënyrë arbitrare në përcaktimin e taksave dhe tarifave vendore, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme të ardhurat vendore", tha Shalsi. Në takimin me Shoqatën e Komunave, në Hotel 'Sheraton', Kryeministri Berisha siguroi sot se "qeveria shqiptare qëndron fuqishëm në mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të vendorëve". Kryeministri tha se së shpejti do të krijohet një rrjet mikrokrediti për qeverisjen vendore. Partneriteti mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, sipas Kryeministrit Berisha, "ka ndërruar cilësisht jetën në komunat e vendit". /s.s./
KOMENTE