English

"Qyteti I Njëmbinjë Dritareve" Në Një Enciklopedi

TIRANË, 29 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- Qyteti i "njëmbinjë dritareve", Berati, si dhe qytetet përreth këtij qarku si, Skrapari, Kuçova, kanë tashmë një enciklopedi të tyren, që vjen nga autori dhe botuesi Zylyftar Plaku, e cila u promovua sot në mbrëmje në mjediset e Akademisë së Shkencave. Kjo enciklopedi me 900 faqe, me 2500 zëra, dhe 2670 emra personazhesh, ku jepet shumë informacion për këtë prefekturë, vjen për lexuesit nga shtepia botuese "Jolanda". Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr, në Berat është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në një intervistë për ATSH-në, autori Zylyftar Plaku rrëfen punën 8 vjeçare për këtë enciklopedi si dhe vështirësitë e hasura. "Është hera e parë që botohet një enciklopedi për Beratin dhe është hera e parë që botohet një enciklopedi në Shqipëri në rang rajonal", tha ai. Ai tregon se për këtë enciklopedi ka punar 8 vjet me grupe pune fillimisht dhe vështirësitë kanë qënë të shumta, sepse "tek ne nuk ka një informacion. Kemi shfrytëzuar arkivat, intervista me njerëz dhe kemi mbërritur deri këtu", pohon Plaku. Sipas tij, "Berati eshtë një qytet dhe një rajon ku jeta njerëzore dhe më pas jeta qytetare ka vijuar pa ndërprerë që në kohët më të lashta e deri më sot", shprehet ai, duke shtuar se, "kjo enciklopedi ka histori, gjeografi, art, kulturë, florë, faunë, personalitete të shkencës, të artit, politikës, biznese, ndërmarrje te mëdha e të vogla, sesi janë rritur ato në vite, biznese që kanë filluar pas viteve 90, etj". Duke folur për këtë enciklopedi, ai sqaron se, "nëse atë do ta zhveshim nga personalitetet, kjo mbetet një enciklopedi që të plotëson dëshirën për këtë trevë. Sepse njerëzit do gjejnë shpjegime për një mal, për qytetin, sa e ka pasur popullsinë, sepse ne i jemi referuar statistikave në periudha ku ka pasur kthesa të historisë. Përshembull, në 1926 është bërë regjistrimi i parë zyrtar në Shqipëri, ne 1945 kur ne kemi dal nga lufta, në 1990 kur filloi kthesa dhe më pas kur nisi lëvizja e popullsisë dhe në 2005 sesa ka lëvizur kjo popullsi nga fshati në qytet", rrëfen Plaku. I pyetur sesi e ka bërë përzgjedhjen e sektorëve në këtë enciklopedi, autori dhe botuesi Zylyftar Plaku shprehet se, "përzgjedhja u bë me grupe pune, të cilët nuk i rezistuan dot afatit kohor, kështu që u vazhdua edhe me grupe të tjera në të ardhmen, për arsye sepse periudha e gjatë, mungesa e financimit bëri që të kishte shumë probleme". Botuesi Plaku shton gjithashtu se, "çdo libër është pajisur me një zarf që lexuesi të marrë pjesë drejtpërdrejtë me vërejtje dhe sugjerime, që këto të paraqiten ne ribotimin e ardhshëm". "Berati është aq i madh saqë në historinë e shkruar sa është gërvishtur. Përderisa është në arkivin e pasurisë botërore, ai meriton më shumë dhe ne sa e kemi filluar këtë punë për pasqyrimin e vlerave të tij dhe do ta vazhdojmë", përfundoi ai. Thanë për enciklopedinë: "Ajo që e dallon një shoqëri të civilizuar është kujtesa dhe mjetet për ta kultivuar këtë janë librat, kujtimet, kronikat, të cilat e mbartin këtë brez pas brezi", u shpreh Ministri i Teknologjisë dhe Novacionit, z. Genc Pollo. Sipas tij, "ky libër është një përpjekje individuale për të shënjuar figurat e shumta që kanë dalë nga një qytet që është ndoshta më i vjetri në Shqipëri, figura që kanë dhënë kontribut në jetën politike, sociale, kulturore në qytetin e Beratit". Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, vlerësoi këtë iniciativë të autorit Plaku. "Dua ta uroj autorin për këtë punë voluminoze dhe hulumtuese për të arritur në një material të tillë, i cili pa dyshim do të ngelet në mendje të lexuesve", tha Beqiraj. Ai e cilësoi këtë botim si një nismë vërtet nga më bukurat për këtë krahinë sepse, sipas tij, "nuk është vetëm për Beratin, por dhe për Kuçovën e Skraparin dhe është një vlerësim i jashtëzakonshë, sepse mbeten të shkruara të gjitha bëmat e këtyre njerëzve dhe kësaj krahine që është e shquar në historinë e Shqipërisë". "Kjo është një vepër që e nderon krahinën e Beratit, Kuçovës, Skraparit, që kanë tashmë të sintetizuar një produkt të një pune dhe të një dashurie që Zylyftari ka hedhur në atë libër", u shpreh rektori i UT-së, Dhori Kule. Ai tha se, kushdo nga ne që do të ketë në bibliotekën e tij këtë libër do të ndihet shume mirë dhe mjaft i kënaqur". /a.ke/
KOMENTE