Tiranë, 29 Qershor, NOA – Kryebashkiaku Edi Rama ka ngritur sot një kallëzim penal ndaj Prefektit të Tiranës, Keltis Kruja, me argumentimin se ky i fundit ka shpërdoruar detyrën.
Kjo padi e Ramës mbërrin në një kohë, kur Kruja i është kundërpërgjigjur atij me një letër se po zbaton vetëm detyrën, ndërsa po akuzohet se prefektura po kërcënoka qeverisjen e kryeqytetit me kërkesën e auditimit të fondeve të buxhetit të bashkisë.
“Bashkia e Tiranës, në bazë të nenit 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale, depoziton këtë kallëzim penal pasi është konsumuar vepra penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shpërdorimin e detyrës nga Prefekti i Qarkut Tiranë”, thuhet në kallëzimin e ngritur nga kryebashkiaku Edi Rama.
Duke i parashtruar prefektit Kruja arsyet dhe provat ku e mbështet këtë kallëzim, Rama citon se “auditimi për fondin e veçantë i kërkuar nga prefekti është në kapërcim të kompetencave që burojnë nga kuadri ligjor, duke rënë në kundërshtim të plotë me ligjet për kontrollin e jashtëm të njësive vendore”.
“Qëndrimi zyrtar i Prefektit, është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në kapërcim të kompetencave të tij, rrjedhimisht edhe deklarata publike lëshuar prej tij para mediave, është krejtësisht e pavërtetë dhe veprimet e tij janë kryer plotësisht në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat e kuadrit ligjor në fuqi”, citon Rama në kallëzimin e tij penal.
Duke dhënë sqarime për fondin e veçantë të Bashkisë së Tiranës, ai pohon se “ai planifikohet nga të ardhurat e veta të njësisë vendore dhe nuk ka të bëjë e nuk duhet ngatërruar me fondet e buxhetit të shtetit për funksionet e deleguara në njësitë vendore si ndihma ekonomike apo gjendja civile.
E më pas, shton se urdhri i Ministrit të Financave për “Auditimin e fondit të veçantë pranë ministrive të linjës, institucioneve në vartësi të tyre dhe prefekturave për vitin 2009”, është keqinterpretuar nga ana e z. Kruja.
“Insistimi flagrant dhe arbitrar i Prefektit Kruja, për të kontrolluar Bashkinë e Tiranës në kundërshtim me ligjin, cënon rëndë parimet themelore dhe të rëndësishme të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit dhe autonominë vendore, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore”, përfundon akuzën e tij Rama.
n.e/NOA