English

Raporti i SHBA: PS pengoi reformat e qeverisë dhe uli vlerësimin për nivelin e demokracisë

Uashington, 29 qershor 2010 NOA - Një raport i organizatës Freedom House me qendër në Uashington i cili analizon përparimin e vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral, jep një tabllo të përzier për Shqipërinë dhe vlerëson se Partia Socialiste pengoi reformat e qeverisë dhe uli vlerësimin për nivelin e demokracisë.

Radio Zëri i Amerikës raporton se në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3,75 pikë ashtu si edhe në raportin e një viti më parë.

Freedom House e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi.

Megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, thuhet në raport, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’ju përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri.

Raporti i kushton gjithashtu një paragraf qeverisjes kombëtare dhe aty thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte.

Mirëpo, bojkotimi i kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e parlamentit. Për këtë arsye, raporti e ka ulur nga 4.25 në 4.5 vlerësimin e Shqipërisë lidhur me demokracinë në qeverisje.

Në raportin “Vendet në Tranzicion 2010” thuhet se media në Shqipëri ka bërë përparim në aspektin e teknologjisë që përdor por korniza ligjore që mbulon median e lirë nuk është ende e plotë.

Kjo mungesë, duke i shtuar edhe transparencën e pakët në financimin e medias së shkruar apo asaj elektronike, favorizon më tepër interesat e pronarëve të saj dhe të politikanëve se sa ato të publikut dhe njëkohësisht dëmton cilësinë editoriale.

Mbulimi nga media i zgjedhjeve të 2009-s, thotë raporti, favorizoi dy partitë kryesore duke i lënë jashtë mbulimit partitë më të vogla. Raporti shton se gazetaria investiguese vazhdon të jetë e kërcënuar dhe të gjitha këto e kanë ulur vlerësimin nga Freedom House për median e pavarur nga 3.75 në 4 pikë.

Si përsa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, organizata Freedom House nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit.

Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave.

Ndërsa korrupsioni, thuhet në raport, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë, thotë raporti, mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit.

r.n/NOA

KOMENTE