English

Raporti i SHBA: Qeveria po frikëson gjyqtarët e prokurorët, korrupsioni goxha i përhapur

Uashington, 29 qershor 2010 NOA - Organizata Freedom House për sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë, por vërehet se Qeveria vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kështu konstatohet në raportin “Vendet në Tranzicion 2010” të organizatës me qendër në Uashington që u publikua para pak minutash në SHBA.

Ky raport analizon përparimin e vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral dhe jep një tabllo të përzier për Shqipërinë. Freedom House e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi, citon radio Zëri i Amerikës.

Sistemi gjyqësor, thotë raporti nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit.

Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave.

Ndërsa korrupsioni, thuhet në raport, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë, thotë raporti, mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit.

r.n/NOA

KOMENTE