English

Reportazh/ Shkodër: Një Dasëm Britanike Në Kalanë Rozafa

SHKODËR, 29 qershor/ATSH-G. Marku/ - Një çift i ri, vajza nga Kosova dhe djali nga Britania zgjodhën kalanë e Shkodrës për ta kurorëzuar dashurinë e tyre 11-vjeçare. Tashmë Sabrije Neziraj dhe Brian Watt jetojnë në Britani, por u kthyen t'a bënin dasmën në vendin ku nisi dashuria e tyre në vitin 1999 në Shkodër. "Ishim kolegë në një shoqatë e financuar nga Bashkimi Europian, e cila na bashkoi përpara 11 viteve këtu në Shkodër, ku punuam për pesë muaj me radhë", thotë për ATSH-në Sabrija, e cila ka punuar dhe në vende të ndryshme të botës, si Afganistan, Etiopi, etj, për të njëjtën shoqatë humanitare. Bashkëshorti i saj, Brian ka jetuar më gjatë në Shkodër, pasi ka punuar më gjatë në këtë qytet, duke ndjekur gjurmët e të atit, Epwakp Watt, i cili kishte punuar me të njëjtën shoqatë në zonat e veriut shqiptar në vitet 1992-1997. Sabrija, familja e së cilës jeton prej shumë vitesh në Gjermani, tregon se fejesën me Brianin e ka bërë përpara katër viteve në Etiopi. "Pasi u fejuam atje, Briani ma la mua që të vendosja se ku do ta bënim dasmën", thotë ajo. E prirur për të pasur diçka krejt të veçantë, Sabrija thotë se zgjodhi të kurorëzohej në kalanë e Shkodrës. "Mendja më shkoi menjëherë tek kalaja e Shkodrës ku kam qënë përpara 11 viteve, e cila më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme jo vetëm për historinë që ka, por edhe për mrekullitë që të ofron në të gjitha pamjet e saj", thotë ajo. "Gjatë kohës që isha në Shkodër, çdo ditë pa përjashtim, shkoja tek kalaja pas orarit të punës, në kohën e lirë, pasi aty gjeja kënaqësinë shpirtërore duke shijuar gjithçka ajo të ofron. Dhe kështu mendova se nëse duhet të bëja dasëm, kalaja Rozafa e Shkodrës, ishte vendi i duhur për ta bërë një gjë të tillë, për të mbetur tamam në histori," shton Sabrija e kënaqur me dëshirën që ka realizuar. "Një arsye tjetër pse vendosëm për të bërë dasmën këtu, ishte se Shkodra na bashkoi, menduam se këtu është vendi i duhur që duhet të martohemi, duke shpresuar se do të jetë edhe një ogur i mirë për të ardhmen e jetës sonë", thotë Sabrija. Dasma ka qenë një festë ndërkombëtare e vërtetë. Mes rreth 80 pjesëmarrësve ishin familjet e çifit dhe të ftuar nga shtete të tjera si Rusia, Gjermania, Afganistani, Greqia, Suedia, Franca, Hollanda, etj, miq dhe të njohur nga vendet ku ato kanë punuar. Për shumë prej tyre, Shkodra u bë një surprizë e vertetë, pasi në Shqipëri vinin për herë të parë. "Ishte shumë bukur, diçka krejt e veçantë që nuk kam për ta harruar asnjëherë në jetën time", shprehet Murio Michelini, nga Italia, i cili thotë se këtë do t'ua përcjellë të gjiithë miqve të tij kur të kthehet në shtëpi. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe me ç'ka ka provuar, thotë se do të shikojë mundësinë që shumë shpejt t'i kthehet Shqipërisë dhe veçanërisht Shkodrës për të kaluar pushimet me disa ditë më shumë. Një gjë të tillë e pohojnë edhe Bertrcim Wikla nga Gjermania, Ivanai Borislov nga Rusia, Irina Bartsits nga Franca, çifti Anane dhe Martin Haase nga Skocia. Ata veçojnë, mes shumë gjërave, kënaqësinë që kanë ndjerë nga mikpritja e ngrohtë e hasur kudo që kanë shkelur. Sami Shoshi, drejtues i agjensisë turistike Albturist RS me qendër në Shkodër, i cili menaxhoi të gjithë aktivitetin e dasmës së çiftit anglez në Shkodër, thotë se me Sabrijën njihej më përpara, kur ajo ka qenë në Shkodër. Ceremonia e martesës ishte e veçantë, e realizuar në gjurmët e kishës së Shën Stefanit, e ndërtuar nga venedikasit, në 1270. Nusja ishte veshur me vellon e bardhë tradicionale, ndërsa dhëndërri me fustanellën karakteristike skoceze. Aty ku ka qenë altari i kishës, çifiti shkëmbeu unazat dhe një përfaqësuese e Bashkisë së Shkodrës e zyrtarizoi martesën. "Unë kam pritur dhe përcjellë shumë grupe turistike, që përgjithësisht kanë mbetur të kënaqur me vizitat që kanë bërë në vendin tonë, por t'ju them të drejtën, këtë herë ka qënë krejt ndryshe", thotë Samiu, drejtuesi i agjencisë turistike. Sipas tij, përpara largimit për në vendet e tyre, shumë nga dasmorët kanë kërkuar të pajisen me paketat turistike shqiptare./ch/
KOMENTE