Tiranë, 29 qershor, NOA – Nënkryetari i Grupit të PS-së, Eduard Shalsi ka dalë sot në mbrojtje të Bashkisë së Tiranës dhe qeverisjes së saj, duke akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe autoritetet e ngarkuara prej tij se po dhunojnë qeverisjen vendore dhe demokracinë e saj.
“Sali Berisha ka zgjedhur një rrugë, të vetmen që ai di : atë të pengimit, bllokimit, atrofizimit me çdo kusht dhe vrasjes së autonomisë vendore. Sjellja e Sali Berishës ndaj bashkive dhe komunave në përgjithësi, por sidomos vendimet e marra kundër bashkive kryesore, dëshmojnë se urrejtja dhe hakmarrja politike janë boshti mbi të cilin mbështetet e gjithë veprimtaria e qeverisë”, deklaroi nga selia rozë, deputeti Eduard Shalsi.
Sipas Shalsit Shqipëria renditet i fundit vend në rajonin e Ballkanit sa i përket shkallës së decentralizimit fiskal, ku një pjesë e konsiderueshme e grantit të pushtetit vendor për vitin 2010, sipas Shalsit, do të ndahet përsëri sipas oreksit të qeverisë, gjë që shmang dhe nuk garanton barazinë dhe ndarjen e drejtë midis njësive vendore.
“Transferta e pakushtëzuar që kanë marrë bashkitë/komunat për vitin 2010, është 20% më pak se ajo e vitit 2005. Një numër i madh vendimesh qeverie kanë ndërhyrë në mënyrë arbitrare në përcaktimin e taksave dhe tarifave vendore, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme të ardhurat vendore”, theksoi nënkryetari i grupit të PS-së.
Deputeti Eduard Shalsi vijoi me akuzat ndaj mazhorancës se ajo po uzurpon kompetencat dhe grabit autonominë fiskale.
Duke iu referuar thirrjes së prefektit të Tiranës, për mosauditimin e fondeve të buxhetit të shtetit nga Bashkia e Tiranës, Shalsi i cilësoi si “sjellje adoleshenteske të prefektëve, prononcime të papërgjegjshme të përfaqësuesve të maxhorancës, këshilla bashkiakë që mblidhen në funksion të partive dhe jo qytetarëve. Kjo është panorama e vërtetë dhe e vajtueshme e pushtetit vendor në Shqipëri”.
Sipas Shalsit është vetë Sali Berisha ai që në 29 shtator të vitit të kaluar katërfishoi taksën e reklamës.
Duke nënvizuar si papërgjegjshmëri të kreut të mazhorancës këtë dhunim të pushtetit vendor dhe thirjet për mospagim të taksave, deputeti socialist vijoi duke thënë se “nëse deri më tani pushteti i Sali Berishës ka tentuar të bllokojë buxhetet e njësive vendore kryesore për motive të pastra politike nga dita e djeshme marrëzia dhe papërgjegjshmëria e Sali Berishës ka arritur kulmin duke u bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksat dhe tarifat lokale”.
mit/NOA