Shënim - Nervozizëm Rus Pas Arrestimit Të Spiunëve Të Dyshuar Në Shba
MOSKË, 29 qershor /ATSH-AFP/ - Rusia u shpreh sot kundër autoriteteve amerikane pas njoftimit për arrestimin e spiunëve të dyshuar rusë në SHBA dhe kërkoi shpjegime për këtë ngjarje, e denjë për Luftë të Ftohtë.
"Për mendimin tonë, veprime të tilla nuk janë të justifikuara dhe kanë qëllime të këqija'', theksoi një diplomat rus.
"Ne nuk mund t'i kuptojmë shkaqet që kanë shtyrë Ministrinë amerikane të Drejtësisë të bëjë deklarata publike në frymën e 'historisë së spiunëve të kohës së Luftës së Ftohtë", theksoi nga ana e saj Ministria ruse e Punëve të Jashtme.
"Është për të ardhur keq që gjithçka ndodhi në kohën e përmirësimit të marrëdhënieve
ruso-amerikane njoftuar nga administrata amerikane'', shtoi ministria.
Shefi i diplomacisë, Sergei Lavrov kërkoi shpjegime dhe ironizoi njoftimin për arrestimin e 10 spiunëve të dyshuar pasi kjo ndodhi disa ditë pas një vizite, të gjykuar si pozitive, në SHBA të presidentit rus, Dmitri Medvedev.
"Momenti kur kjo ndodhi u zgjodh me një elegancë të veçantë'', theksoi ai me një ton ironik.
Pesë nga 10 personat e arrestuar të dielën në SHBA në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti spiunazhi u paraqitën dje para një gjykate federale në Nju Jork që urdhëroi ndalimin e tyre në paraburgim, ndërsa i njëmbëdhjeti u arratis.
Një burim policor qipriot njoftoi menjëherë sot arrestimin e këtij të dyshuari në aeroportin ''Larnaca'', një kanadez i quajtur Robert Christopher Metsos (54 vjeç), kërkuar në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti spiunazhi.
''Të dyshuar se bënin pjesë në një rrjet spiunazhi dhe nëntë prej tyre për pastrim parash, ata rrezikojnë pesë deri në 25 vjet burg'', sipas një avokati.
Ata medohet të jenë, amerikanë, kanadezë ose peruanë sipas akuzave të ngritura kundër tyre dhe që nuk saktësojnë kombësinë e tyre të vërtetë.
Nga ana e tyre, qeveritë britanike dhe irlandeze theksuan sot se do të hetohet mbi përdorimin e pashaportave fallco nga këto vende për disa persona të arrestuar në kuadër të kësaj çështjeje.
Shërbimi sekret i jashtëm rus, SVR refuzoi të bëjë komente në lidhje me njoftimin për shkatërrimin në Shtetet e Bashkuara të një rrjeti të gjerë spiunazhi të dyshuar se vepronte në përfitim të Rusisë.
Edhe Kremlini gjithashtu ka refuzuar të prononcohet duke nënvizuar se vetëm presidenti ka të drejtë të flasë për një çështje të tillë.
"Nëse Dmitri Anatoljeviç Medvedev e gjykon të nevojshmë për të thënë diçka, i vetmi koment do të bëhet nga ai'', theksoi zëdhënësi i presidencës ruse.
Drejtësia amerikane theksoi se të ''dyshuarit ishin formuar nga SVR për t'u futur në shoqëri për të marrë informacione duke depërtuar në rrethet politike amerikane''.
Shkatërrimi i këtij rrjeti u bë i munduar nga një hetim 10-vjeçar i FBI-së.
Hetuesit zbuluan një arsenal mjetesh komunikimi, si një teknikë kodimi të të dhënave në foto që transmetoheshin menjëherë në faqet e internetit të quajtura ''anodin'' apo në radiot me valë të shkurtra për të kontaktuar direkt me Moskën./
/ec/ a.jor.