English

Sport-Botëror/ Blater Kërkon Ndjesë Për Gabimet E Gjyqtarëve Në Botëror

TIRANË, 29 Qershor /ATSH/ - Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i ka kërkuar ndjesë Anglisë dhe Meksikës, më të ndëshkuarat në këtë botëror nga gabimet e arbitrave. Lampard iu anulua goli i barazimit, 2-2, edhe pse topi kishte kaluar pothuajse me gjysmë metri vijën fatale. Anglezëve iu mohua një gol, që sipas tyre, mund të kishte ndryshuar fatin e lojës, e cila u mbyll 4-1 në favor të gjermanëve. Blater i shprehu gjithashtu keqardhjen e tij ekipit të Meksikës, për shkak të lejimit të golit në pozicion jashtë loje të argjentinasit Tevez. Meksika pësoi një gol që ishte "offside" në ndeshjen me Argjentinën, por sipas arbitrit, ishte i rregullt. Në lidhje me këto, numri një i futbollit në botë i shprehu keqardhjen Federatave të Futbollit të Anglisë dhe Meksikës. "Më vjen keq kur gabimet e gjyqtarëve janë kaq evidente, por ky nuk është fundi i kampionatit apo futbollit, janë gjëra që ndodhin", u justifikua Blatter. Blatter tha se debati për teknologjinë në futboll do të rihapet kur bordi ndërkombëtar i FIFA-s do të mblidhet në korrik. /gj.m/s.s./
KOMENTE