Sport-Botëror/ Paraguaj - Japoni, Sfida Që Vlen Për Historinë
TIRANË, 29 Qershor /ATSH - Gjergji Mima/ - Japonia, e vetmja skuadër e mbijetuar nga ekipet aziatike, do të përballet me Paraguajin në ndeshjen e fundit kualifikuese për në çerekfinalet e kampionatit botëror të futbollit, Afrika e Jugut 2010.
Trajneri i Japonisë, Takeshi Okada, tha se skuadra e tij ka një motiv më të madh në ndeshjen kundër Paraguajit, pasi mban mbi vete shpresat e Azisë për sukses në Kupën e Botës.
53-vjeçari shprehu keqardhje për eliminimin e Koresë së Jugut nga përballja me Uruguajin, por tha se ky rezultat mund t'i japë shtysë ekipit të tij për të arritur për herë të parë në histori në çerekfinale.
"Luajmë me krenari më të madhe, pasi jemi skuadra e vetme aziatike e mbetur në Botërorin 2010. Kërkojmë të nderojmë Azinë dhe Japoninë", tha Okada.
Japonia është një nga ekipet më të fortë aziatike dhe ka fituar 5 edicionet e fundit të Kupës Aziatike. Detyra e tyre është piksëpari të paraqiten më mirë se në Gjermani 2006, ku "samurajt" u skualifikuan që në fazën në grupe. Ylli më i njohur i tyre është Shunsuku Nakmura, i cili që nga vera e 2009 luan në Evropë me Espanyol , Barcelona. Tjetër futbollist që luan në Evropë është Honda ( Venlo, Holandë). Dirigjenti i ekipit mbetet Nakazava, 31 vjeç, me 90 pjesëmarrje në takimet ndërkombëtare. Në Afrikën e Jugut do të jetë pjesëmarrja e tyre e 4-tërt në Kupat e Botës.
Me precedentin që ka zhvilluar një nga fazat më të mira kualifikuese në historinë e saj, ekipi paraguajan arrin në këtë fazë finale të Kupës së Botës të vërtetojë dhe njëherë që është në nivelin e ekipeve më të mira të kontinentit që përfaqëson.
Ekipi i drejtuar nga argjentinasi Martino ka dhe një tjetër kuriozitet që në Francë 1998 dhe Kore/Japoni 2002 u eliminua nga dy finalistët, Franca dhe Gjermania. Ekipi aktual ka një mbrojtje tepër efektive, ndërsa në repartin sulmues disponon lojtarë shumë të rrezikshëm që mund të kërcënojnë këdo ekip. Yjet e ekipit janë Roque Santa Cruz, Valdez, etj.
Në ndeshjet e djeshme u kualifikuan Holanda, pas fitores me Sllovakinë, dhe Brazili pas fitores ndaj Kilit. Përveç Holandës dhe Brazilit, ekipet e tjera të kualifikuara për në çerekfinale janë Uruguaji, Gana, Gjermania dhe Argjentina.
/s.s./