Sport-Botëror/ Paraguaji Në Çerekfinale Vetëm Pas Penalltive
RANË, 29 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Përfaqësuesja e Paraguajit ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror, pasi ka shënuar fitore kundër Japonisë, vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Gjatë minutave të rregullta të takimit, të dyja skuadrat zhvilluan një lojë thuajse të barabartë dhe i tillë ishte edhe rezultati pas 90 minutash.
Rezultati 0-0 i detyroi skuadrat që fitoren ta kërkojnë pas shtesave, por edhe pas 120 minutash rrjetat heshtën. Kështu, fituesi u vendos pas ekzekutimit të penalltive, ku më të saktë ishin futbollistët e përfaqësueses së Paraguajit.
Në çerekfinale, Paraguaji do të luajë kundër fituesit të supersfidës mes Spanjës dhe Portugalisë që zhvillohet sonte në mbrëmje.
Paraguaj-Japoni 0-0 (5-3)p
Paraguaj (4-3-3): Villar; Caniza, Caceres, Da Silva, Morel; Riveros, Barreto, Vera; Santa Cruz, Cardozo, Valdez. Trajner: Martino.
Japoni (4-3-2-1): Kauashima; Komano, Nakazaua, Tanaka, Nagatomo; Matsui, Abe, Endo; Hasabe, Okubo; Honda. Trajner: Okada. /a.ke/