Strukturë E Re Për Vitin Shkollor, Nxënësit Tre Periudha Pushimi
TIRANË, 29 Qershor/ATSH/- Viti shkollor 2010-2011 do të nisë më datë 6 shtator dhe do të ketë për nxënësit disa periudha pushimi.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur sot se "në shkollat 9-vjeçare të sistemit arsimor parauniversitar, semestri i parë do të nisë më 6 shtator dhe do të përfundojë më 28 janar 2011, ndërsa semestri i dytë do të fillojë më 31 janar të vitit 2011 dhe do të mbarojë më 10 qershor".
Risia e njoftuar nga MASH është se gjatë gjithë vitit shkollor do të ketë disa periudha pushimesh si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit.
Periudha e parë e pushimeve do të jetë nga data 27 tetor 2010 deri më 31 tetor 2010. Më pas pushimet e fundvitit do të nisin më datë 24 dhjetor 2010 dhe do të mbarojnë më datë 5 janar 2011. Gjatë vitit shkollor do të ketë edhe një periudhë të tretë pushimesh, që do të nisë më 28 mars 2011 dhe do të mbarojë më 3 prill.
Për të gjithë sistemin e arsimit bazë parauniversitar në Shqipëri viti shkollor do të përfundojë më datë 10 qershor të vitit 2011. Klasat e nënta të këtij sistemi do të zhvillojnë provimet e lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor të vitit 2011.
Në shkollat e mesme, viti shkollor do të nisë më 6 shtator dhe do të mbarojë më 17 qershor, ndërsa vetëm për klasat e 12 mësimi përfundon më 24 maj të vitit 2011.
Pushimet do të jenë në të njëjtat data me të gjithë sistemin parauniversitar, ndërsa klasat e 12-ta do të kenë sesionin e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore nga periudha 26 maj-30 qershor 2011.
MASH vlerëson se pushimet që janë caktuar për vitin e ri shkollor do të vlejnë për nxënësit për t'u dhënë hapësirë, ndërsa për mësuesit do të shërbejë si një periudhë e kualifikimit të vazhduar./e.gj//s.s./