English

Taske Forca Për Ekonominë: Projektligj Për "Krijimin E Agjencisë Shqiptare Të Zhvillimit Të Investimeve"

TIRANË, 29 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e task forcës për ekonominë, ku u propozua projektligji "Për krijimin dhe organizimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve". Zyra e shtypit pranë kryeministrisë bëri të ditur sot, se në vazhdimësi të reformave ekonomike që kanë të bëjnë me nxitjen, mbështetjen dhe shërbimet ndaj investimeve të huaja dhe vendase, task forca shqyrtoi dhe vendosi të propozojë në Këshillin e Ministrave projektligjin e ri për krijimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Projektligji vjen si rezultat i konsultimeve të gjera me të gjitha institucionet dhe grupet e interesit dhe nëpërmjet tij rregullohet organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Kryeministri Berisha paraqiti situatën ekonomike si dhe theksoi se "është bërë domosdoshmëri drejtimi institucional i investimeve të huaja dhe vendase, si dhe orientimi e shërbesa ndaj tyre". "Reforma rregullatore në fazën e sotme më të zhvilluar adreson probleme të mbështetjes institucionale të investimeve dhe sipërmarrjes në Shqipëri, në aspekte shumëdimensionale. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare i ka dhënë dhe do të vazhdoje t`i japë një rëndësi shumë të madhe tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte, si dhe rritjes së konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare", tha Berisha. Në institucionalizimin e kësaj pjese të reformës rregullatore, roli i Agjencisë Shqiptare për Investimet e Huaja dhe Konkurueshmërinë është esencial. Kjo agjenci është fryt i punës së bashkëpunimit të ngushtë të qeverisë shqiptare, përfaqësuar nga METE, me ekspertizën e huaj dhe vendase, të kontraktuar nga Banka Botërore. Krijimi i kësaj agjencie u arrit duke u bazuar në modelin e agjencive të tilla të ngjashme të suksesshme të vendeve të rajonit, por edhe më gjerë se kaq. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është person juridik, publik, buxhetor, i cili drejtohet nga Bordi Drejtues dhe përbëhet nga përfaqësues të sektorit publik dhe të sektorit ekonomik privat. Veprimtaria e Agjencisë përqendrohet kryesisht në lehtësimin dhe mbështetjen e investimeve të drejtpërdrejta në Shqipëri, nëpërmjet identifikimit dhe promovimit të mundësive për investime, duke i ofruar shërbime dhe mbështetje investitorëve ekzistues ose atyre potencialë. Puna e Agjencisë do të përqendrohet edhe në rritjen e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe nxitjen dhe ndihmën ndaj eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. /m.m/ s.s./
KOMENTE