Thaçi: Pavaresia E Kosoves Eshte E Pakthyeshme Me Kufij Te Pacenueshem
PRISHITNË, 29 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme me kufij të pacënueshëm, tha sot Kryeministri Hashim Thaçi.
"Në të ardhmen e afërt, Kosova do të jetë përballë opinionit të shumëpritur të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarëdo që të jetë opinioni, pavarësia jonë është e pakthyeshme dhe kufijtë tanë janë të pacenueshëm", theksoi ai.
"Ne do të vazhdojmë të ecim përpara dhe do te kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë", siguroi kryemnistri i Republikës së Kosovës. Ai shtoi se "sfida jonë kryesore është për të ecur përpara me aspiratat tona Euro-Atlantike - drejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO".
"Objektivi im kryesor për vitin 2010 është që të kemi një Raport të Progresit, i cili është pozitiv për Kosovën", tha kryeministri Thaçi. "Lidhur me përpjekjet tona për integrim, ne i kemi dorëzuar përgjigjet tona në pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE-në, tash i presim rekomandimet nga ana e BE-së", shtoi ai.
"Institucionet e Kosovës janë po ashtu gati për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe unë e kam theksuar në të gjitha takimet me përfaqësues të BE-së, përfshirë vizitën time të fundit në Bruksel - Kosova nuk do të mbetët vrimë e zezë në rajonin e Europës Juglindore", theksoi Thaçi.
Në një ligjërat në Kolegjin UBT në Prishtinë, kryeministri Thaçi foli edhe për projektet madhore për zhvillim, siç është fillimi i ndërtimit edhe në pjesën kosovare të aurostradës drejt Durrësit, të përfunduar në Shqipëri. "Ky vit është viti i vendimeve të mëdha të Qeverisë për përmirësimin e gjendjes së ekonomisë sonë", tha ai, duke shtuar se "kompania Amerikano-Turke Bechtel Enka po ndërton autostradën e parë moderne të Kosovës".
"Investimi prej mbi 700 milionë euro në rrugën Vërmicë-Prishtinë-Mërdarë, që e kemi filluar, ju siguroj se do ta përfundojmë në kohë rekord. Vetëm nga ky projekt ne po hapim rreth 4000 vende të reja pune", tha kryeministri Thaçi.
Në Kolegjin UBT, kryeministri Thaçi, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe performancën e tij si lider për çlirimin dhe zhvillimin e vendit, u nderua me çmimin "Leadership Exellence Award". /a.ke/