English

Viti i ri shkollor 2010-2011, MASH: Strukturë e re për arsimin parauniversitar

Tiranë, 29 qershor, NOA/ Irma Toptani – Sistemi parauniversitar do të ketë një strukturë të re mësimore në vitin 2010-2011, gjatë të cilit nxënësit e këtij sistemi do të kenë tri periudha pushimesh.

Këtë ndryshim të strukturës e publikoi sot në një njoftim Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila deklaroi se viti arsimor për sistemin parauniversitar do të nisë në 6 shtator.

Njoftimi bën të ditur se semestri i parë për shkollat 9-vjeçare do të nisë në 6 shtator dhe do të përfundojë më 28 janar të 2011, ndërsa i dyti do të nisë më 31 janar të 2011-ës dhe do të përfundojë në 10 qershor.

Gjatë vitit shkollor 2010-2011 do të ketë tri periudha pushimesh, ndër të cilat e para është në semestrin e parë nga 27 tetori deri në 31 tetor 2010; periudha e dytë përmbledh ditët e krishtlindjeve nga data 24 dhjetor deri në 5 janar 2011 dhe periudha e tretë e pushimeve do të jetë në fund të muajit mars, nga 28 marsi deri në 3 prill.

Sipas njoftimit, ndërsa shkollat e sistemit arsimor bazë do të mbarojnë vitin shkollor në 10 qershor 2011, provimet e lirimit për klasat e nënta do të zhvillohen nga 15-30 qershor.

Shkollat e mesme sipas njoftimit zyrtar do ta nisin vitin shkollor në 6 shtator dhe do ta përfundojnë në 17 qershor, ndërsa për klasat e 12-a mësimi do të mbarojë në 24 maj 2011.

Këtë vit shkollor provimet e maturës shtetërore do të zhvillohen në 26 maj-30 qershor 2011.

Pushimiet e verës për sistemin parauniversitar do të jenë në të njëjtën periudhë.

Sipas ministrisë së Arsimit tri periudhat e pushimeve do t’u shërbejnë nxënësve për t’u dhënë hapësirë përgjatë vitit shkollor, ndërsa për mësuesit do të jenë një periudhë kualifikimi i vazhdueshëm.

Tashmë të gjitha drejtoritë arsimore rajonale kanë marrë në dorë urdhrin e ri dhe strukturën e re arsimore për vitin shkollor 2010-2011.

i.t/NOA Shkruajini autores: irma.toptani@noa.al

KOMENTE