Vizion I Ri Për Ofrimin E Shërbimit Shëndetësor Në Shkolla
TIRANË, 29 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/- Specialistët e shëndetësisë, në bashkëpunim me ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diskutuan sot mbi nevojën e një vizioni të ri lidhur me shërbimin shëndetësor në shkolla, pjesë e një projekti për kujdesin e shëndetit të nënës dhe fëmijës që tashmë po orientohet drejt kujdesit për fëmijët në shkolla.
"Është një komponent i këtij projekti të madh, duke parë shkollën si të ardhmen e kombit dhe duke u fokusuar në dy komponentë të rëndësishëm të projektit", tha për ATSH-në Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë në seminarin e mbajtur në Hotel "Tirana International".
Sipas tij, "dy komponentët e projektit janë zhvillimi i kompetencave të personelit shëndetësor, mjekëve dhe infermierëve në shkollë, dhe nga ana tjetër përcaktimi i disa indikatorëve, të cilët do të bëjnë të mundur monitorimin e punës së tyre". "Qëllimi i seminarit të sotëm është pikërisht të dimë se ku jemi, si ofrohet ky shërbim shëndetësor në vendet e zhvilluara dhe sesi e ofrojmë ne në të ardhmen", theksoi Pipero.
Realizimi i këtij projekti do të mundësohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa, mendohet se shtatori do ta gjejë vendin me një Strategji të re mbi ofrimin e shërbimit shëndetësor në shkolla nga mjekët dhe infermierët e shkollave.
Ndërkohë, lufta kundër duhanit dhe alkoolit janë projekte, të cilat kanë filluar të implementohen në shkolla tashmë.
Disa nga detyrat e mjekëve dhe infermierëve në shkolla janë përgatitja e temave për traumat dhe aksidentet në bazë të kalendarit të promocionit dhe standardeve të edukimit në shkolla, edukimi i fëmijëve për respektimin e sinjalistikës rrugore, mbi rregullat e dhënies së ndihmës së parë, përgatitja e temave për shëndetin oral, për sjelljet e shëndetshme, etj./s.s./