Vlorë, Një Fundjave Në Ishullin E Zvërnecit
rtazh-
VLORË, 29 Qershor/ATSH-H.Koçi/.- Pirro, një inxhinier nafte nga Fieri, së bashku me gruan dhe tre fëmijët, ka ardhur për të kaluar një fundjavë në ishullin e Zvërnecit, rreth 10 km në perëndim të qytetit të Vlorës.
Bashkë me ta, janë edhe miq e të njohur të tjerë. Gjithsej 10-12 vetë. Kanë krijuar një shoqëri që e ka gjallëruar mjedisin e gjelbëruar të ishullit. Fëmijët, të rinjtë dhe të rejat, shfrytëzojnë fushën modeste të futbollit për t'u argëtuar. Burrat pijnë nga një shishe birre nën hijen e disa qiparisave, ndërkohë që bashkëshortet po përgatisin drekën. Ushqimet i kanë marrë me vete. Do ta konsumojnë drekën të gjithë së bashku, në mes të pyllit me pisha dhe qipariza.
"Është një vend i mrekullueshëm. Gjelbërimi, pylli i lartë e i virgjër, kisha dhe manastiri dhe, mbi të gjitha laguna, na mrekullojnë. Nuk ka si Zvërneci", thotë Pirroja.
Kujtimi, një tjetër koleg i tij, që jeton prej disa vitesh në Tiranë, thotë se tani në këtë periudhë vijnë shumë shpesh. Bëhen bashkë me shoqërinë dhe nisen herët në mëngjes. Kalojnë orë të këndshme këtu dhe më pas, rreth mesditës drejtohen tek një plazh i vogël disa qindra metra në jug.
Këto mundësi, ku përfshihen edhe plazhet ranore të këtij bregdeti, pushuesit përpiqen t'i shfrytëzojnë në maksimum. "Bëjmë një turizëm të përzier, duke shfrytëzuar gjelbërimin e ishullit që edhe tani është me bollëk dhe rërën e virgjër dhe ujin e pastër të detit, që janë si askund tjetër", thotë Kujtimi.
Ai tregon se ashtu si ata ka edhe të tjerë persona që frekuentojnë këtë ishull të bukur. Kujtimi shpreh keqardhjen që në këtë zonë mungon tërësisht struktura turistike, megjithëse pranon se një gjë e tillë do të dëmtonte gjelbërimin.
"Megjithëse është pak absurde që këtu pranë nuk ka asnjë lokal të vetëm, sepse për hotel as që bëhet fjalë, them se ky fakt ndoshta është pozitiv për të mbrojtur këtë ishull nga dëmtimi", thotë ai.
Punonjësi i sigurisë së ishullit, thotë se këtu vijnë mjaft pushues nga rrethe të ndryshme të vendit. Ai kujdeset që askush të mos dëmtojë mjedisin dhe godinat e kishës, të manastirit dhe një ndërtesë tjetër që shërben për fëmijët që pushojnë këtu në periudhën e verës. Ai tregon se fëmijët luajnë dhe argëtohen në mjediset sportive të ndërtuara në ishull, ndërsa të rriturit vizitojnë Manastirin e Hyjlindëses dhe vetë Kishën e Shën Marisë.
Për të shkuar në ishull, duhet të kalosh përmes një ure prej dërrase, të paktën 800 metra të gjatë, e cila e bashkon atë me bregun. Lulet krijojnë një tablo të rrallë në raport me mjedisin ujor të lagunës së Nartës dhe pjesën tjetër të bregdetit të Zvërnecit. Laguna, ishulli me pisha dhe qipariza, godinat e kishës, të manastirit, varret e vedosura diku në këndin jugor të ishullit, të krijojnë imazhin e një mjedisi ndjellës. Qetësia është absolute. Cicërimat e zogjve po ashtu.
Diku, në hyrje të urës që të çon në ishull, qëndron një karrocë ambulante, ku tregtohen artikuj të ndryshëm ushqimorë. Një mesoburrë, që tregton aty së bashku me bashkëshorten, thotë se vizitorët janë të shumtë. Por, ata qëndrojnë këtu vetëm pak orë dhe më pas largohen.
/s.s./