English

Zhurma

Paradoksi i Kosovës është që qeverisja e keqe po e gjen “bashkëpunëtorin” në një opozitë po ashtu të keqe

Nga Shkëlzen Maliqi

Ata që kanë pritur lulëzimin e menjëhershëm të demokracisë dhe ekonomisë në Kosovën e pavarur, sigurisht se sot demonstrojnë dhe shprehen me një zhgënjim të madh. Por, ky është më shumë problem i atyre me pritje të tepruara, sesa është ndonjë ngecje dramatike në procesin e demokratizimit të Kosovës. Ndërtimi i demokracisë është zakonisht një proces që kërkon kohë, as në vendet që sot i marrim si shembull ajo nuk është bërë shpejt dhe pa gabime e ngecje. Demokratizimi i një vendi të varfër, pa ekonomi të zhvilluar, pa ligje dhe resurse të shumta të domosdoshme për sistem stabil demokratik, objektivisht del si një proces i ngadalshëm, i cili, edhe pse i ka modelet që mund t’i ndjekë, megjithatë do të “mësohet” dhe përvetësohet në më shumë faza. Sukseset dhe avancimet në procesin e demokratizimit nuk mund të maten me kriterin e atyre që kanë pritur shumë dhe tani janë edhe të zhgënjyer tepër shumë. Për të kuptuar dhe vlerësuar progresin në demokratizim, duhet të përdoren mjete matëse ose edhe kritike shumë më realiste se që i kanë ata me pritje dhe zhgënjime të tepruara. Një kriter i tillë realist dhe relativist të shkallës së zhvillimit mund të artikulohet përmes shtruarjes së pyetjes: sa është realizuar nga ajo që ka qenë e mundshme të realizohet në rrethanat ekzistuese? Në vlerësimin e gjendjes aktuale dhe të arriturave, pra, nuk duhet të nisemi nga qëllimi, edhe pse ai gjithnjë duhet të kihet parasysh si të tillë, por shikohet sa janë realizuar vizionet dhe planet afatshkurtra dhe afatmesme, duke konstatuar shkallën e përparimit, dhe njëkohësisht edhe sa ka mbetur për të realizuar në të ardhmen për të arritur modelin e dëshiruar. Për shkak të pikëvështrimeve të ndryshme të këtij procesi, kemi vlerësime të ndryshme të gjendjes, disa tejet të zymta dhe kritike, ku thuhet, se jemi shumë larg cakut, si dhe disa realiste dhe optimiste, se në Kosovë ka përparim të dukshëm. Dhe këto vlerësime kontradiktore vijnë si nga burimet vendore, ku konfrontohen pozita me opozitën, po ashtu edhe nga instancat ndërkombëtare, për të cilat nuk mund të themi se janë partizane në vlerësim, por vlerësimi i tyre kontradiktor varet nga kuti dhe qëllimi i vlerësimit që jepet. Dhe, nuk ka aspak dyshim se në diskurset e brendshme ekzistojnë pikëvështrime dhe qasje të ndryshme ndaj këtij procesi. Ka të tillë që gjithnjë nisen nga caku i fundit dhe flasin zi e më zi për të sotmen, duke nënvlerësuar zhvillimet e derisotme. Ata thonë se nuk është bërë asgjë, se Kosova po vendnumëron, madje se po stagnon. Kritikët e skajshëm, të ngjyrimeve të ndryshme ideologjike, pohojnë se gjendja kurrë nuk ka qenë më e keqe. Ka të tillë që thonë se kështu nuk ka qenë as në kohën e Titos (disa duke u kujtuar me nostalgji privilegjet që i kanë pasur në atë periudhë), ndërkaq të zhgënjyerit më ekstremë thonë se “kështu nuk ka qenë as në kohën e Milloshevicit”. Shumica e partive dhe organizatave opozitare në Kosovë ushqejnë një qasje të tillë ndaj zhvillimeve, duke u përqendruar vetëm në aspektet dhe vlerësimet vendnumëruese, ose dështimet dhe stagnimet që janë shënuar gjatë sundimit të Qeverisë aktuale. Është kjo një “kritikë e pamëshirshme” e cila nuk përpiqet që t’i shohë dhe regjistrojë asnjë nga të arriturat dhe asnjë nga përparimet reale, duke përfshirë këtu edhe ato që shihen me sy dhe që është budallaki të mohohen, nëse pretendon se je duke fiqiruar me mendjen e shëndoshë. P.sh. për ndërtimin e qindra kilometrave të rrugëve dhe të qindra shkollave, me të cilat Qeveria lavdërohet si të arriturat më të dukshme, opozita ka qëndrim mohues: ose i hesht duke dashur t’i minimizojë fare, ose thotë se rrugët janë bërë shumë keq dhe, në të vërtetë, me hajni dhe keqpërdorime të mëdha që duhet të anulojë tërësisht çdo vlerë të tyre. Kur e përmend këtë shembull, nuk dua ta mohoj të drejtën e opozitës për të kritikuar Qeverinë për mënyrën se si po investohet në rrugë ose shkolla, e as të drejtën që të denoncohet dhe luftohet korrupsioni në të gjitha nivelet, e para së gjithash në nivelet më të larta të pushtetit. Kritika është e domosdoshme, dhe madje edhe mjet kryesor që duhet ta stimulojë korrigjimin ose edhe ndërrimin e një qeverisjeje të keqe. Dua të vë në pah një dobësi të madhe të një kritike të tillë, që duket pa frena dhe e pamëshirshme. Kritika pa frena dhe pa një dozë realiste në argumentimin e akuzave zakonisht bëhet kundër-produktive, sepse shndërrohet në një lloj akuze gjenerale boshe që do të të bindë me zor, e jo me fakte dhe argumente. Kjo kritikë prodhon një zhurmë të tepruar efekti i së cilës është mjegullimi i esencës së çështjes deri në masën që për pasojë ka humbjen e kredibilitetit të kritikës. Teprimet e saj vetëm sa krijojnë hapësirë dhe kundër-argumente mbrojtjes së dukurisë që sulmohet. Thjesht, nëse opozita zhurmon se rrugët që janë ndërtuar janë vetëm një “hajni e madhe”, pa e cekur se ato janë diçka që tashmë shihet dhe është pjesë e progresit të arritur, atëherë kjo i shërben më shumë pozitës sesa zbulimit të së vërtetës për hajninë, sepse i jep mundësi propagandistëve të pozitës që t’i kapërcejnë dhe mjegullojnë akuzat për hajni dhe korrupsion, duke nxjerrë në plan të parë faktet pozitive mbi kilometrat e ndërtuara të rrugëve. Dhe kjo ua mundëson të konkludojnë se opozita po gënjen edhe për korrupsionin, sepse nuk flet me fakte, por nga inati dhe lakmia për pushtet. Humbja e kredibilitetit të kritikës që bëhet zhurmë, më së miri mund të ilustrohet me shembullin e Shqipërisë, ku në akuzat e ndërsjella të dy kampeve politike futen aq shumë teprime dhe “zbukurime” të panevojshme, saqë çdo çështje që debatohet bëhet roshomon publik në vete, ku në qarkullim vihen me ngulm tregimet dhe interpretimet e kundërta, që i përcjell zhurma e paparë mediatike dhe një huti e hatashme në opinion. Nga zhurma dhe pluhuri që çohet, me shumë tym artificial, nuk dallon më cilat janë argumentet e vërteta dhe cilat të shpifura në ato debate roshomone politike. Dhe opinioni shqiptar, në instancën e fundit, nuk ftohet që të kuptojë argumentet dhe të vërtetën, por vetëm të rreshtohet rreth çështjeve kontestuese në mënyrë partizane. Askush nuk kërkon më të vërtetën e çështjes. Ajo mbetet roshomon. Zhurma, roshomoni i Shqipërisë po e kërcënon edhe Kosovën. Vërtet jemi një me këto vuvuzelat anuese të pozitës dhe opozitës që prodhojnë zhurmën e njëjtë shurdhuese. Paradoksi i Kosovës është që qeverisja e keqe po e gjen “bashkëpunëtorin” në një opozitë po ashtu të keqe.

KOMENTE