English

Agjencia E Zhvillimit Të Investimeve/ Berisha: Zhvillim Madhor Në Reformën Ekonomike

- Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për krijimin eAgjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve - TIRANË, 30 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot, se krijimi i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve përbën finalizimin e një reforme të thellë që bëhet në sistemin e investimeve private, vendase dhe të huaja. Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për krijimin eAgjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. "Pas një pune intensive që Ministria e Ekonomisë, por edhe Task Force për rregullimin e tregut në Shqipëri ka bërë gjatë një periudhe 2-vjeçare, krijohet një Agjenci e Zhvillimit të Investimeve, e cila udhëhiqet nga një bord që kryesohet nga Kryeministri dhe në përbërje të të cilit janë disa ministra dhe përfaqësues të biznesit privat", tha Berisha. Krijimi i kësaj Agjencie, sipas Berishës, përbën një zhvillim madhor në reformën ekonomike të vendit. "Ajo krijohet pas suksesit të konfirmuar të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit. Agjencia do të ketë tani të gjitha mundësitë të funksionojë pothuaj si një sportel i vetëm. Ligji është hartuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen e ekspertëve më të shquar të Europës dhe botës në këtë fushë, të cilët kanë ndërtuar me sukses të madh edhe në vende të tjera Agjenci të tilla", tha Berisha. Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe projektligjin "Për bazën e të dhënave shtetërore", i propozuar nga Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Shqipëria, tha Kryeministri, duhet të ecë drejt ndërlidhjes së të gjitha të dhënave dhe ne po punojmë që gjatë këtij mandati, të arrihet një ndërlidhje e të gjitha të dhënave që ekzistojnë në vend. "Në këtë mënyrë, ecet drejt një sporteli të vetëm, tek i cili qytetarët shqiptarë do të mund të gjejnë të gjitha shërbimet dhe të mos rendin, siç rendin sot nga një zyrë në tjetrën, por në zyrën, ku do të paraqiten të jenë disponibël të gjitha të dhënat që i duhen për të marrë përgjigje për kërkesën", tha Berisha./n.m/
KOMENTE