English

Basha:Të reduktohen rrënjësisht aksidentet në rrugët shqiptare këtë sezon

Tiranë, 30 qershor, NOA – Ndërsa sezoni turistik gjithnjë ka shënuar aksidente fatale në rrugët shqiptare, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u kërkoi sot drejtuesve të strukturës së re të Policisë Rrugore përmirësimin e shpejtë dhe radikal të treguesve të qarkullimit rrugor, me synimin për të shmangur sa më mirë fatalitetin në rrugët tona.

Ministri Basha u deklaroi policëve të qarkullimit rrugor se “Objektivi është i qartë, duhet reduktim i shpejtë i fataliteteve në inventarin rrugor anembanë vendit. Në fund të sezonit turistik pres që krijimi dhe vënia në efiçencë e kësaj strukture dhe bashkëpunimi i saj i ngushtë me drejtorët e policisë në qarqe të sjellë një përmirësim thelbësor, i cili natyrisht mund dhe do të matet vetëm me krahasimin e statistikave të këtij viti me vitin e shkuar dhe vitet e tjera pararendëse”.

Ministri i Brendshëm në këtë takim me drejtuesit e sapoemëruar të Policisë Rrugore dhe ata të policisë në qarqe, theksoi se “krijimi i Task Forcave të përhershme, pajisja me mjetet më të fundit të teknologjisë si dhe përzgjedhja e punonjësve me përvojë kanë si qëllim të vetëm, përmirësimin rrënjësor të rezultateve në qarkullimin rrugor dhe zbritjen e menjëhershme të numrit të aksidenteve dhe të fataliteteve që shkaktohen anembanë territorit të Republikës.

“Struktura e re do të marrë përsipër në çdo cep të territorit me vëmendje të veçantë në arteriet kryesore rrugore, autostradat dhe superstradat e vendit, territorin e bashkive të mëdha e të mesme, një vëzhgim jashtëzakonisht të hollësishëm të situatës, marrjen e të gjithë masave parandaluese brenda kompetencave ligjore të policisë, si dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë me zero tolerancë të çdo shkelësi sado minor apo madhor të ligjeve të vendit dhe në veçanti të Kodit Rrugor”, theksoi Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Ministri u ndal gjatë këtij takimi edhe në çështjen e ndjeshme të korrupsioni, i cili sipas Bashës, përbën një problem për policinë rrugore për shkak të kontaktit të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarin, ndaj për këtë evidentimi i ankesave të qytetarëve do të jetë në qendër të vëmendjes së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

“Transparenca, llogaridhënia, zbatimi i kodit të etikës dhe i standarteve profesionale, dhe toleranca zero ndaj abuzuesve me uniformën e Policisë së Shtetit, janë qëllim parësor i kësaj strukture të re”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Ministri Basha u kërkoi drejtuesve të Policisë Rrugore të bashkëpunojnë me organet e pushtetit qendror dhe vendor në çdo qark, ku ndër të tjera ai shtoi se bashkëpunimi do të fillojë menjëherë me zbatimin e planit të masave për çështjet e sigurisë gjatë sezonit turistik, i cili do të monitorohet dhe raportohet në shtabet e ngritura në nivel qarku, nga prefektët.

mit/NOA
KOMENTE