Basha: Tolerancë Zero Ndaj Abuzimeve Me Uniformën E Policisë Rrugore
IRANË, 30 Qershor/ATSH, Mira Shkurta/ - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha garantoi sot se, Policia rrugore do të jetë në qendër të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
"Nga të gjitha shërbimet që Policia e Shtetit i ofron qytetarëve shqiptarë, ai i Policisë Rrugore për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me qytetarët përsa i takon transparencës dhe besueshmërisë, do të jetë në qendër të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm", tha ai.
Në takimin që zhvilloi sot me drejtuesit e rinj të policive të qarkullimit rrugor të 12 qarqeve të vendit, të emëruar pas reformes për ristrukturimin e Policisë Rrugore, përfaqësuesve të misioneve policore "ICITAP dhe PAMECA, Basha u shpreh se " korrupsioni në rradhët e Policisë mbetet ende një problem madhor".
"Për vetë faktin se Policia Rrugore është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe për shkak të një strukture të deritanishme me llogaridhënie jo aq të fortë, sikurse dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, korrupsioni endet mbetet çështje kryesore për Policinë Rrugore", tha Basha.
Transparenca, llogaridhënia , zbatimi i kodit të etikës dhe standarteve profesionale, tolerancë zero ndaj zbatuesve me uniformën e Policisë së Shtetit, janë qëllimi parësor i Strukturës së re të Policisë rrugore, që ka nisur zbatimin nga dita e sotme, tha Basha.
Sipas tij, struktura e re brenda gjithë kompetencave që parashikon ligji, do të marrë përsipër në të gjithë territorin e vendit marrjen e masave parandaluese, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë me zero tolerancë të çdo shkelësi, të çdo moshe, në zbatim të plotë të Kodit Rrugor.
" Vënia në dispozicion e mjeteve të posaçme, krijimi i Task Forcave të përherëshme, paisja me mjetet më të fundit të teknologjisë, si radarët dixhitalë, identifikmimi dhe emërimi i punonjësve të policisë me përvojën më të mirë kanë një qëllim, përmirësimin rrënjësor të rezultateve në qarkullimin rrugor, zbritjen e menjëherëshme të numrit të aksidenteve, zbatimin rigoroz të kodit rrugor nga qytetarët, me ndihmën e punonjësve të Policisë Rrugore", tha ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha.
Ai kërkoi evidentimin e çdo ankese të qytetarëve në çdo kohë ndaj strukturave të shërbimit rrugor. Një nga problemet që preku ministri Basha ishte dhe përdorimi i karroatrecave vend e pa vend dhe në mënyrë selektive, sidomos në Tiranë.
Basha tha se "Policia Rrugore nga sot do të marrë gjithë masat për përmirësimin e praktikave të përdorimit të karrotrecit, ndërsa SHKB do të auditojë rast pas rasti përdorimin e tyre në territorin e bashkive më të mëdha të vendit. Gjithçka do të bëhet në përputhje me kodin Rrugor dhe urdhërin e drejtpërdrejt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit".
Eliminimi i hallkave të tepërta të kontrollit, paraktikave burokratike dhe procedurave ankimore të komunitetit, mbeten prioritete kryesore të punës për strukturën e re të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
"Kualifikimi i strukturave të Policisë Rrugore, sjellja dhe etika profesionale në komunikim me komunitetin, eliminimi i fenomenit të veprimeve abuzive me detyrën, janë në funksion të objektivit të vetëm: parandalimi i aksidenteve, rritja e parametrave të sigurisë në rrugë", tha Basha.
Ministri bëri të ditur se nga dita e nesërme në të gjitha qarqet do të fillojë zbatimi i një Plan-masash për këtë sezon veror, i cili parashikon shërbime të shtuara në gjithë akset rrugore, zonave turistike dhe bashkive më të mëdha.
"Nga data 1 korrik, ky plan masash do të raportohet e monitorohet nga shtabet e ngritura nga prefektët në bashkëpunim me policitë e qarqeve, që do të jetë edhe test për këtë strukture", tha Basha./a.ke/