English

Burgaj: Tolerancë Zero Ndaj Krimit Të Organizuar

TIRANE, 30 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi sot angazhim maksimal të strukturave të policisë për hetimin e krimit të organizuar. Në një takim me strukturat e riorganizuara të hetimit të krimit, Burgaj theksoi se kemi përqendruar gjithë burimet njerëzore, financiare e materiale për veprime të kualifikuara gjatë përdorimit të teknikave speciale të hetimit. Për këtë qëllim, tha ai, pranë kësaj strukture janë përfshirë dhe specialistë për ndërhyrjet taktike, për shërbimet psikologjike dhe ato mbështetëse e logjistike. Duke u ndalur tek Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, në përgjegjësinë e të cilit është Sektori për Hetimin e Aseteve të Krimit, Burgaj vuri në dukje faktin se kjo strukturë pritet të japë rezultate pozitive në identifikimin e aseteve kriminale për çështjet në hetim, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë me qëllim sigurimin e provave të plota për asetet kriminale, me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit e Pastrimit të Parave për verifikimin dhe vërtetimin e informacioneve për asete që dyshohen se janë me prejardhje kriminale. Objektivi kryesor i kësaj strukture, theksoi Burgaj, është që të godasë krimin e organizuar, atje ku ai ka pikën më të fortë dhe për të cilën ai krijohet, përfitimet ekonomike. Gjatë këtij takimi ai prezantoi dhe Drejtorinë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve, një tjetër strukturë e re, veprimtaria e së cilës ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e cilësinë e jetës së komunitetit pavarësisht nga veprat penale që ka në kompetencë. Z. Burgaj theksoi se nga kjo drejtori pritet përmirësimi i dukshëm në drejtim të evidentimit të plotë të gjithë veprave penale të ndodhura, kryerjes me përgjegjësi të gjitha veprimeve procedurale për veprat penale që hetojnë. Po ashtu Burgaj vlerësoi punën e shkëlqyer që është bërë gjatë kësaj periudhe në drejtim të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe kërkoi një vlerësim maksimal të strukturave të policisë për monitorimin e të gjithë territorit si me helikopter, ashtu dhe kontrolle të vazhdueshme. Ai kërkoi angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për menaxhimin sa më mirë të situatës së sigurisë publike, veçanërisht gjatë sezonit të verës./s.s./
KOMENTE