English

Durrës: Presidenti Topi Nderon Me "Mjeshtër I Madh" Shkrimtarin Bashkim Hoxha

DURRËS, 30 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Shkrimtari dhe publicisti Bashkim Hoxha është nderuar sot në mbrëmje me titullin "Mjeshtër i Madh". Gjatë ceremonisë së organizuar në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi lart krijimtarinë e publicistit të njohur, i cili ka një kontribut të veçantë edhe në fushën e letërsisë dhe kinematografisë. Në fjalën e tij Presidenti nënvizoi vlerat e veçanta të komunikimit të përditshëm që gazetari Bashkim Hoxha ka vendosur prej vitesh, përmes ekranit të vogël, me qytetarët nga i gjithë vendi, ndërsa theksoi rëndësinë e mesazheve që ai ka përcjellë edhe përmes veprës së tij letrare. Publicisti Bashkim Hoxha, duke marrë në dorëzim këtë titull, ia dedikoi atë bashkëqytetarëve si dhe kolegëve të tij gazetarë. Më pas në skenën e teatrit u shfaq premiera e komedisë "Udhëtimi pa vizë i një alieni", shkruar nga dramaturgu Bashkim Hoxha dhe vënë në skenë nga regjisori Hervin Çuli me trupën teatrore BaH. Gjatë veprimtarisë së tij të gjatë, shkrimtari dhe publicisti 56-vjeçar nga Durrësi ka botuar një sërë romanesh si "Hotel Ballkan", "Dëshmitari i shkretëtirës", "Mbreti i vesës", "Mot i keq për dashuri", etj. Në skenat e teatrove tona janë vënë në skenë një sërë veprash dramatike të autorit Bashkim Hoxha si "Unë dhe Mefistofeli", "Ftesë për gjyq", "Këngë dashurie me korba", "Qyteti pa dashuri", etj. Ai është autor i skenareve të filmave artistikë dhe televizivë "Vals i ngrirë në Prishtinë", "Kronika e një nate", "Një udhëtim i vështirë", "Në çdo stinë", etj. Gazetari Bashkim Hoxha që nga viti 1997 drejton formatin televiziv "Koha për t'u zgjuar"./s.s./
KOMENTE