Ekon - Be Vendos Kufizim Të Bonuseve Për Zyrtarët Dhe Drejtuesit E Bankave
BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Vendet e BE-së dhe deputetë evropianë kanë arritur një marrëveshje për kufizimin, duke nisur nga viti i ardhshëm, të bonuseve dhe shpërblimeve për zyrtarë dhe drejtues të lartë të bankave në Evropë, shumat e mëdha të të cilave u konsideruan si një ndër shkaqet e krizës financiare, njoftoi sot Parlamenti Evropian.
Kjo marrëveshje parashikon që zyrtarët të marrin një pjesë prej rreth 60 për qind të shpërblimeve të tyre, bonuseve, në mënyrë të menjëhershme dhe një pjesë tjetër thelbësore, prej të paktën 40 për qind pas një periudhe minimalisht trevjeçare, me qëllim krijimi i një pengese për rreziqet afatgjata, sipas tekstit të deklaratës.
"Parlamenti Evropian ka besim se marrëveshja do të përcaktojë rregulla të ashpra dhe efikase, që do të mbulojnë të gjithë bonuset e akorduara apo të paguara nga viti 2011", theksohej në deklaratë.
"Dy vjet pas fillimit të krizës financiare botërore, këto rregulla të reja të ashpra në lidhje me bonuset do të transformojnë kulturën e bonuseve dhe t'i japin fund nxitjeve për ndërmarrjen e rreziqeve", u shpreh Arlene McCarthy, raporterja e Parlamentit Evropian e ngarkuar për negociatat./
/i.p/ a.jor.