English

Ekonomi - Britani E Madhe - Plani I Kursimit Do Të Sjellë Shkurtimin E 1,3 Milionë Vendeve Të Punës

LONDËR, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Ministria britanike e Financave ka llogaritur se plani i zvogëlimit të deficitit buxhetor i njoftuar javën e kaluar do të sjellë shkurtimin e deri 1,3 milionë vendeve të punës brenda pesë vjetëve, sipas një dokumenti konfidencial të cituar sot nga "Guardian". Sipas të përditshmes së qendrës së majtë, ky dokument i vlerëson në rreth 120 000 humbjet e përvitshme të vendeve të punës në sektorin publik që pritet të shkaktojë plani i reduktimit të deficitit buxhetor, të cilit pritet t'i shtohen 120-140 000 shkurtime të vendeve të punës në vit në sektorin privat. Megjithatë, "Guardian" thekson se ministria parashikon paralelisht krijimin e 2,5 milionë vendeve të punës në sektorin privat në të njëjtën periudhë, gjë që kompenson gjerësisht vendet e shkurtuara për shkak të planit të kursimit. Qeveria nuk i ka komentuar ende këto shifra që rrezikojnë të shkaktojnë pakënaqësi në opinion ndaj planit të masave të rrepta ekonomike. Një zëdhënëse e Ministrisë së Financave njoftoi AFP-në se gjatë ditës do të publikohet një komunikatë. Ministri i Financave George Osborn u mjaftua deri tani me dhënien e shifrave të sakta për pasojën e planit të paprecedent të masave të rrepta ekonomike të njoftuar tek punësimi. Ky plan synon sigurimin e miliarda eurove kursime, për zhdukjen brenda pesë vjetëve pothuaj të të gjithë deficitit buxhetor të trashëguar nga laburistët. Osborn përsëriti parashikimet e Zyrës për përgjegjësinë buxhetore, OBR, një organizëm autonom i ngarkuar me mbikëqyrjen e financave publike, që parashikon një rënie të papunësisë në vitet e ardhshme, pavarësisht planit të kursimit. OBR-ja në fakt parashikon një rënie të përqindjes së papunësisë në përputhje me Zyrën Ndërkombëtare të Punës, nga 8,1 për qind të popullsisë aktive këtë vit në 6,1 për qind në vitin 2015. /I.Pu.
KOMENTE