English

Ekonomi - Strauss-Kahn Përjashton Një Recesion Tjetër Të Ekonomisë Botërore

UASHINGTON, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Drejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, përjashtoi sot rrezikun e përsëritjes së një recesioni të ekonomisë botërore, pavarësisht shtimit të shqetësimeve lidhur me forcën e rimëkëmbjes së filluar në vitin 2009. "Rimëkëmbja do të vazhdojë dhe nuk do të ketë recesion tjetër të thellë", deklaroi Strauss Kahn gjatë një forumi në Uashington. Kreu i FMN-së i mbajti këto deklarata ndërkohë që bursat kryesore në botë kanë rënë dje mbi bazën e shqetësimeve lidhur me krizën e borxhit evropian, me ritmin e rritjes në Kinë dhe me shtimin e treguesve zhgënjyes në Shtetet e Bashkuara. Sipas njoftimeve të fundit të publikuara në prill, FMN-ja parashikon që ekonomia botërore të dalë nga recesioni i 2009-s me një rritje prej 4,2 për qind në vitin 2010 dhe 4,3 për qind në vitin 2011. Fondi pritet të publikojë në fillim të korrikut një vlerësim tjetër të aktualizuar. /I.Pu.
KOMENTE