Festivali I Butrinit, Festivali Më Serioz Europian I Teatrit
- Drejtori artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Butrinti 2000", shprehet në një intervistë për ATSH-në-
TIRANË, 30 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Festivali Ndërkombëtar i Teatrit "Butrinti 2000" nis edicionin e tij të 11-të nga 17-23 korriku, ku rreth 210 artistë do të ngjiten në skenën madhështore të Butrinit për të sjellë vlerat e tyre më të mira teatrore.
Duke e cilësuar këtë eveniment si një nga më seriozët në Evropë, Drejtori artistik i këtij festivali, Alfred Bualoti, thotë në një intervistë për ATSH-në se "Festivali Ndërkombëtar i Teatrit 'Butrint 2000' është një eveniment i veçantë sepse është bërë tashmë festivali i traditës, i cili nuk pritet vetëm nga komuniteti vendas, por edhe trupa të huaja që duan të marrin pjesë në të".
"Këtë vit ne kremtojmë edicionin e 11, që do të startojë në 17 korrik, ku do të jenë 6 spektakle", shprehet Bualoti.
Duke folur për risinë e këtë viti, Bualoti tregon se "festivali do të ketë 2 evenimente të rëndësishme. Në Kalanë e Lëkursit do të sjellim në kujtesën tonë 200 vjetorin e lindjes së Shopenit, pasi ky përvjetor është shpallur nga UNESCO si viti i Shopen. Përmes natës shopeniane që vjen nga vendlindja e tij, nga Polonia, do të shfaqim krijimtarinë e tij nëpërmjet një spektakli me aktrim dhe pantonima".
Sipas tij, "për herë të parë në Festivalin e Butrintit do të kemi një spektakël shumë të madh, ku 70 artistë do të marrin pjesë në musicalin që quhet 'Romeo dhe Zhuljeta', që është një bashkëpunim midis Teatrit Nacional të Operetës së Bukureshtit dhe Teatrit Nacional të Operetës së Budapestit, nën regjinë e një regjisori të madh me pseudonimin Kero".
Duke zbuluar disa nga surprizat e këtij festivali, Bualoti shprehet se "në këtë edicion do të shpallim regjisorin e Teatrit Shtetëror të Sant Petërsburgut, Alexander Morfov, President Nderi të Festivalit, pasi ai do të hapë siparin e festivalit me "Ëndrrën e një nate vere" të Shekspirit.
Ai vlerëson se "kjo është një trupë e jashtëzakonshme, që vjen për herë të parë dhe është një ngjarje e madhe që Teatri Shtetëror i Sant Petërsburgut i Rusisë vjen në Butrint".
Në skenë pritet të ngjiten rreth 210 artistë sepse shfaqjet janë masive, thotë Bualoti, duke shtuar se "në këto 6 shfaqje katër nga regjisorët janë nga më të shquarit dhe më me emër në Europë, duke filluar që nga Sllobodan Onkofski që vjen nga Shkupi, ku me këtë rast do të shohim edhe aktoren e mirënjohur, Yllka Mujo, e cila do të intrpretojë me trupën e Teatrit Kombëtar të Shkupit".
Ai shton se, pjesë e ketij festivali do të jenë edhe dy "Elektrat", ajo shqiptare e regjisorit Adonis Filipi, si dhe "Elektra" rumune, e regjisorit Mihai Maniutiu.
Drejtori i këtij evenimenti, Alfred Bualoti, ritkthehet 11 vjet pas në kohë, duke kujtuar idenë e krijimit të ketij festivali. "Ideja ime dhe i stafit ka qënë realizimi i një ëndrre Ballkanike, një ëndërr që ne nuk mendonim se do të realizohej".
"Këtë ëndërr ballkanike tani pas 11 vitesh e shikoj jo vetëm të realizuar, por e shoh që vendet e rajonit kanë kohë që janë integruar, kemi kohë që ne nuk njohim asnjë lloj kufiri, ku edhe pse me gjuhë të ndryshme ne komunikojmë shumë mirë, sepse flasim me njëri- tjerin nëpërmjet gjuhës së teatrit, kulturës dhe dhuntive më të mira të njëri-tjetrit", thotë ai.
Drejtori Bualoti kërkoi gjithashtu mbështetjen financiare nga strukturat shtetërore, duke pohuar se "ndihma për këtë festival duhet të jetë e pangurueshme, sepse ai është një festival me përmasa të mëdha dhe për këtë duhet që ndihma financiare të jetë në kohën e duhur".
/s.s./