Grupi I Ps: Marrëdhënie E Kushtëzuar Me Parlamentin
- Ruçi: Nuk do të votojmë asnjë ligj -
TIRANË, 30 Qeshor/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi sot, pas një mbledhje të gjatë, që të aplikojë sërish marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, pas mbledhjes së sotme të grupit socialist, deklaroi se ky hap i opozitës ndëmerret pasi maxhoranca po i largohet çdo ditë e më shumë kompromisit.
"Duke filluar nga dita e nesërme grupi parlamentar socialist përshkallëzon marrëdhënien me parlamentin shqiptar, duke i kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij institucioni, duke mos votuar asnjë ligj; as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar", deklaroi kreu i grupit të PS-së, pas mbledhjes.
Ai tha se grupi parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me parlamentin. "Në sesionin e ardhshëm parlamentar, që fillon në shtator, grupi socialist do të bëjë publikë hapat e mëtejshëm lidhur me marrëdhëniet dhe qëndrimin ndaj parlamentit shqiptar", tha Ruçi.
Deputetët e opozitës iu rikthyen normalitetit të jetës parlamentare në seancën plenare të 24 majit. Nga fillimi i legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit më 7 shtator, opozita bojkotoi Kuvendin për afro 9 muaj, bojkot që u thye vetëm gjatë debatit për djegien e mandateve të deputetëve, më 25 shkurt.
Nga kjo datë, deputetët e PS-së ishin prezentë në seancat plenare vetëm në minutat e debatit të lirë parlamentar, ku deklaronin qëndrimet e tyre politike, ndërsa refuzonin të ishin pjesë e veprimtarisë së komisioneve të përhershme kuvendore.
Pas fillimit të grevës së urisë më 30 prill, deputetët socialistë e bojkotuan totalisht Kuvendin, për të hyrë në të vetëm më 24 maj. /a.s/s.s./