Has: Dyfishohet Fluksi I Lëvizjes Në Të Dy Anët E Kufirit
HAS, 30 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Gjatë muajit qershor, fluksi i lëvizjes në doganën e Qafë Prushit është dyfishuar në krahasim me muajin e shkruar.
Burime zyrtare të policisë kufitare bëjnë të ditur për ATSH-në se, gjatë qershorit kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj dogane, mbi 4600 persona dhe mbi 1800 mjete të tonazheve të ndryshme, ndërsa gjatë majit kaluan 2400 persona me 970 mjete.
"Fluksi gjatë qershorit është rritur ndjeshëm. Për të përballuar situatën është shtuar numri i sporteleve të kontrollit nga 2 në 3", pohojnë burimet e policisë.
Dogana e Qafë Prushit, edhe pse është dytësore në në kufirin Shqipëri-Kosovë, ka rritje të ndjeshme të lëvizjes së udhëtarëve e mallrave në të dy anët e kufirit, si rrjedhojë jo vetëm e përmirësimit të infrastrukturës rrugore (zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Krumë - qafë Prush), por edhe kostos së ulët të transportit të mallrave nga tregu i Gjakovës.
"Fluksi në rritje i lëvizjes së njerëzve e mallrave në të dy anët e kufirit kryesisht është rrjedhojë e afërsisë së banorëve nga të dy anët e kufirit e shkëmbimit të mallrave dhe e veprimtarive kulturore të përbashkëta. Vetëm gjatë qershorit janë organizuar 3 veprimtari të tilla mes banorëve të krahinës së Hasit", thotë kryetari i bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka.
"Qyteti i Krumës ka një largësi prej 26 km nga Gjakova. Tregtarët furnizohen kryesisht këtu me mallrat e konsumit të përditshëm," tha Peka.
Fluksi në rritje është edhe si rrjedhojë se krahina e Hasit është e ndarë në dy pjesë prej kufirit, 32 fshatra i takojnë rrethit të Hasit në Shqipëri, ndërsa 29 fshatra janë të ndarë administrativisht me komunat e Prizrenit e të Gjakovës (Kosovë)./ch/