English

Hoxha: Shërbimi Zjarrfikës, Shqetësim Trafiku I Rënduar Dhe Mungesa E Korsive Të Emergjencës

- Flet për ATSH-në shefi i shërbimit zjarrfikës dhe burimeve policore për Tiranën, Haki Hoxha TIRANË, 30 Qershor /ATSH - Mira Shkurta/. - Trafiku i rënduar, rrugët e ngushta, punimet e shumta që po bëhen kohët e fundit në kryeqytet, mungesa e korsive të emergjencave civile në pjesën më të madhe të rrugëve në kryeqytet etj, ishin disa nga problemet shqetësuese që Shefi i Shërbimit Zjarrfikës dhe Burimeve Policore për Tiranën, Haki Hoxha, permendi të mërkurën në një intervistë për ATSH-në, ndërsa foli edhe për masat që ky shërbim ka marrë për t'i ardhur në ndihme ne kohë qytetarëve dhe biznesit, veçanërisht gjatë stinës së verës. "Trafiku i rënduar në kryeqytet, veçanërisht me punimet e nisura prej tre muajsh në qendër të Tiranës, tha Hoxha, ka ndikuar në mosvajtjen në kohën e duhur të këtij shërbimi në rastet e rënies së zjarreve, apo rastet e tjera emergjente për qytetarët, sikurse janë edhe rastet e bllokimit të ashensorëve, apo edhe shërbime të tjera që ai i ofron qytetarëve". "Çdo vonesë, sado e vogël, mbart me vehte edhe humbjen e një jete, apo përhapjen e zjarrit në përmasa të tilla të vështira për t'u përballuar. Probleme veç trafikut të rënduar, janë edhe rrugët e ngushta, bllokimet e vazhdueshme që Bashkia e kryeqytetit po bën kohët e fundit, duke vështirësuar ndjeshëm punën e shërbimit të zjarrfikësit", tha ai. Megjithë angazhimin e Policisë së Rendit, Hoxha tha se mungesa e korsisë së emergjencave, sikurse edhe në vendet e qytetëruara, e bën thuajse të pamundur lëvizjen e mjeteve të këtij shërbimi. Veç trafikut të rënduar, ai u shprehu shqetësimin se "ndërtimi i rrugëve të reja, ndër të tjera, nuk është i studiuar, mungon korsia e emergjencës, pa folur këtu edhe për mungesën e hidranteve të ujit, të cilat edhe në ato rrugë ku janë vendosur, nuk janë funksionale". "I kemi kërkuar bashkisë së kryeqytetit që në çdo ndërtim që kjo e fundit po bën në rrugët e Tiranës, të vendosi hidrantë të jashtëm, të cilët do të na shërbejnë për t'u furnizuar me ujë në rastet e rënjes së zjarreve", u shpreh Hoxha. Nga fillimi i vitit, Shërbimi Zjarrfikës në Qarkun e Tiranës ka ndërhyrë në mbi 350 raste të rënies së zjarrit, ndërhyrje brenda ambjenteve të shtëpie, qendrat e biznesit etj. Për ndërhyrjet në rastet e zjarreve në ndërtesat e larta, Hoxha tha se në dispozicion të këtij shërbimi është një autoshkallë, e cila nuk është e mjaftueshme për dinamikën ndërtimeve në Tiranë, ku vihet re një numër i konsiderueshëm ndërtesash shumëkatëshe, por kjo autoshkallë mund të përballojë deri në 30 m lartësi. Në Tiranë funksionojnë pesë stacione të shërbimit të zjarrfikësit, ndërkohë që një stacion është në Kavajë. Të gjitha këto stacione, tha ai, janë të shpërndara në mënyrë të tillë që për çdo rast të rënies së zjarrit, të ndërhyhet nga pika më e afërt e shërbimit zjarrfikës. Objekti kryesor i punës së këtij shërbimi është së pari shpëtimi i jetës së njerëzve, pronës, dhe gjithçkaja që i shërben atij. Në shërbimin zjarrfikës të Tranës punon një personel prej 107 vetësh, i cili krahasuar me numrin e popullsise, kërkon minimalisht dyfishimin e tij. Ndër të tjera Hoxha informoi se e domosdoshme është ngritja e një stacioni zjarrfikësish pranë bashkisë së Vorës, një bashki me një numër të konsiderueshëm biznesesh, pa lënë mënjanë këtu edhe autostradën, pasi ky shërbim, veç të tjerash, i vjen në ndihmë qytetarëve edhe në rastet e aksidenteve të rënda. Për zonën urbane dhe pjesën e industrisë, në autostradat, qendrat e prodhimit të gazit me shumicë, karburanteve dhe lëndëve të tjera të ndjeshme ndaj zjarrit, Hoxha tha se janë shpërndarë kujtesa me detyrat përkatëse, që këto subjekte duhet të kenë në vemendje, veçanërisht në periudhën e verës, për shkak të temperaturave të larta. Një tjetër problem shqetësësues për Hoxhën, mbeten pikat e vogla të rimbushjes së gazit, të cilat sipas tij, nuk plotësojnë asnjë nga kriteret e domosdoshëm për të qenë të hapura apo licensuara. Lidhur me këtë, ai fajësoi Bashkinë e kryeqytetit, si dhe njësitë e tjera të administratës shtetërore, të cilat liçensojnë këto objekte. Një grup pune, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjitikës, ministrinë e Transportit, si dhe minstrinë e Mjedisit, tha ai, ka ushtruar kontroll dhe ka bllokuar me dhjetra pika, si dhe ka marre masa të tjera administrative për këto subjekte. Në të gjitha subjektet e Tranës dhe të vendit, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave dhe Zjarrfikëseve, në të gjitha prefekturat e Shqipërisë, ka zyrën e Parandalimit për Mbrojtjen ndaj Zjarreve. Ndërkohë, afrimi i stinës së nxehtë të verës e ka detyruar Shërbimin e Emergjencave Civile të marrë masa për të vënë në gadishmëri të gjitha strukturat, veçanërisht ato operacionale, në rastet e situatave emergjente. Ndërkohë, përmes një projekti të Bankës Botërore, së shpejti Tirana do të pajiset me dy zjarrfikëse të reja, sipas të gjitha parametrave, si dhe një autoshkallë, e cila do të shërbejë për aksione në nivele të larta për shpëtimin e njerëzve, në rastet e rënies së zjarreve në pallatet shumëkatëshe, shërbim që momentalisht mungon. /a.ke/
KOMENTE