Jerusalemi Lindor - Be: Shkatërrimi I Shtëpive Është Një Pengesë Për Paqen
BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Shkatërrimi i shtëpive të palestinezëve i parashikuar në Jerusalemin Lindor në kuadrin e një projekti arkeologjik i autorizuar nga bashkia izraelite e Jerusalemit është "një pengesë për paqen", u shpreh sot shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.
"Kolonitë hebreje në lagjet arabe dhe shkatërrimet e shtëpive palestineze janë të paligjshme në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ato përbëjnë një pengesë për paqen dhe kërcënojnë ta bëjnë të pamundur zgjidhjen me dy shtete", paralajmëroi Ashton në një komunikatë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështjet e Jashtme kujtoi se BE-ja nuk e ka njohur asnjëherë aneksimin e Jerusalemit Lindor nga Izraeli.
Ajo u shpreh në favor të hapjes së bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së statusit të Jerusalemit si kryeqyteti i ardhshëm i dy shteteve dhe i bëri thirrje Izraelit të mos marrë masa që mund të cënojnë bisedimet jo të drejtpërdrejta që po zhvillohen mes izraelitëve dhe palestinezëve.
"Këto bisedime kanë mbështetjen e plotë dhe palët duhet të angazhohen seriozisht në këto bisedime", deklaroi ajo.
Komisioni i planifikimit dhe ndërtimit të bashkisë izraelite të Jerusalemit e miratoi më 22 qershor projektin e quajtur "Kopështi i mbretit" që për hebrejtë nënkupton kopështet e mbretit Salomon në lagjen arabe Silwan ku janë vendosur familje kolonësh hebrej në mes të 12 000 palestinezëve.
Plani i bashkisë parashikon shkatërrimin e 22 banesave palestineze të ndërtuara pa autorizim izraelit, ndërsa 66 shtëpi të tjera të ndërtuara pa leje mendohet të legalizohen më vonë.
Çështja është edhe më delikate pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh aneksimin nga Izraeli të sektorit lindor të Qytetit të Shenjtë, i pushtuar që prej luftës së qershorit të vitit 1967.
Izraeli e ka shpallur Jerusalemin kryeqytetin e tij "të përjetshëm dhe të unifikuar" ndërkohë që palestinezët kërkojnë ta bëjnë pjesën lindore të kryeqytetit të shtetit të tyre të ardhshëm.
/I.Pu.