English

Korçë: Ministri I Arsimit Dhe Shkencës Uron Maturantët Në Provimin Me Zgjedhje

KORÇË, 30 qershor /ATSH-Behar Fejuzulla/ - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, zgjodhi shkollën e mesme të përgjithshme "Themistokli Gërmenji" të Korçës, për të përshëndetur dhe uruar maturantët me rastin e zhvillimit të provimit me zgjedhje. "Përshëndes dhe ju uroj suksese në provimin e sotëm 42 mijë maturantët e Shqipërisë. Zgjodha gjimnazin "Themistokli Gërmenji" se është një nga gjimnazet më të mira të vendit, në provimin e letërsisë është gjimnazi që është klasifikuar në vendin e tretë. Janë 42 mijë maturantë që zhvillojnë sot provimin në lëndët me zgjedhje dhe sot, natyrisht, përcaktohen edhe degët, ku do të ndjekin studimet universitare, për shkak se lëndët me zgjedhje këtë kanë si synim kryesor", tha ministri Tafaj. Para fillimit të provimit, ministri bashkëbisedoi me maturantët e shkollës për lëndët që kishin zgjedhur për provimin me zgjedhje dhe për shkollat e larta ku ata mendonin të vazhdonin studimet e larta. Ai shprehu besimin se studentët e matures së kësaj shkolle dhe të Korçës, do të jenë nga më të mirët edhe në shkollat e larta. Në provimin e letërsisë, 171 maturantët e shkollës "Themistokli Gërmenji" u vlerësuan me nota nga 6 e sipër, ku numërohen edhe shtatë nxënës që morën notën dhjetë. Provimi me zgjedhje në qytetin e Korçës u zhvillua në 17 mjedise, sipas rregullit dhe nën ruajtjen e policisë. Në këtë provim morën pjesë 1487 maturantë./ch/
KOMENTE