English

Kosovë - Rexhepi Në Bruksel Prezanton Progresin Drejt Liberalizimit Të Vizave

PRISHTINË, 30 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, në një takim me komisioneren për Punët e Brendshme të BE-së, Cecilia Malmstrom, prezentoi një paketë informuese lidhur me progresin e arritur në përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave. Në njoftimin e ministrisë së Brendshme të Kosovës bëhet e ditur se Komisionerja Malmstrom përshëndeti progresin e arritur nga institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, duke shfaqur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e Komisionit Evropian. Të dy bashkëbiseduesit u shprehën që paralelisht me përparimin e bërë në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, Komisioni Evropian të procedojë me ofrimin e Udhërrëfyesit zyrtar për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Rexhepi u takua edhe shefin e Operacioneve Civile të BE-së, Kees Klompenhouwer, me të cilin diskutoi lidhur me bashkëpunimin me EULEX-in dhe nevojën për vazhdimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, Rexhepi zhvilloi takime të ndara me deputetët e Parlamentit Evropian si Tanja Fajon, Ulrike Lunacek, pastaj me eurodeputetët e ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, të cilët i falënderoi për mbështetjen e ofruar për proceset integruese të Republikës së Kosovës, si dhe i informoi për procesin e arritur në zbatimin e kritereve teknike për liberalizimin e vizave me BE-në. Ministri Rexhepi, bashkë me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, ishte në mesin e panelistëve në diskutimin e organizuar nga Instituti për Shoqëri të Hapur dhe ESI në Bruksel, lidhur me nevojën e përfshirjes së Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave./s.s./
KOMENTE