English

Kryeministri Berisha Vlerëson Angazhimin E Qeverisë Gjermane Në Zhvillimin Ekonomik Të Vendit

TIRANE, 30 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kryeministri Sali Berisha, vlerësoi sot, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me zv/presidentin e parë të KfW-së, Roland Siller dhe Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, angazhimin e qeverisë gjermane për të financuar projekte të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Berisha falënderoi zotin Siller për bashkëpunimin financiar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, bashkëpunim i zbatuar nga KfW. Aktualisht KfW ka në zbatim 11 projekte, me vlerë totale të angazhuar në rreth 205 milionë euro. Kryeministri Berisha vlerësoi vazhdimësinë e angazhimit të qeverisë gjermane për nënshkrimin e fondit të ri prej 70.4 milion euro për periudhën 2010-2011, të projekteve në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim në sektorë me rëndësi për ekonominë shqiptare, si projekti i fazës së III të ujësjellës - kanalizime për qytetin e Pogradecit, të fondit të investimeve për furnizim me ujë dhe rrugët rurale, të infrastrukturës komunale, të projektit të menaxhimit të mbetjeve urbane në Korçë, të hartimit të master planit për investimeve në sektorët ujësjellës - kanalizime dhe të projekteve për eficiencën e energjisë dhe agrobiznesit në zonat rurale. Z. Siller, në vazhdim të bashkëpunimit për zhvillim, ka kërkuar konfirmimin e qeverisë shqiptare për një fond deri në 100 milionë euro, me kredi të butë, për periudhën 2011-2012 për financimin e projekteve prioritare të qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër u diskutua për financimin e projekteve të Linjës së Transmetimit të Energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, të zgjerimit të kapacitetit të prodhimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës në mbi 30 MgWat, si dhe të projekteve të infrastrukturës së rrugëve rurale dhe të furnizimit me ujë./s.s./
KOMENTE