English

Kukës: Lavazhet Lënë Pa Ujë Të Pijshëm Konsumatorët

KUKËS, 30 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Lavazhet e shumta po krijojnë shqetësim në furnizimin me ujë për rreth 35 mijë konsumatorët e qytetit të Kukësit e 15 fshatrave përreth tij. "Janë evidentuar 24 lavazhe vetëm në qytetin e Kukësit që përdorin ujin e pijshëm, veç 16 ndërhyrjeve të paligjshme në tubacionin kryesor, të cilët ujin e pishëm e përdorin për ujitjen e tokave bujqësore të mbjella", tha për ATSH-në drejtori i ujësjellësit, Nebi Shehu. Sipas tij, ky është një nga problemet kryesore që ende nuk ka gjetur zgjidhur, duke dëmtuar qytetarët. Zgjidhja e këtij shqetësimi, sipas Shehut, pa shkaktuar probleme sociale me komunitetin, do të vijë vetëm me ndërtimin e ujesjëllësit të ri, tubacioni i të cilit po shtrihet përgjatë akseve rrugore, e bën të pamundur ndërhyrjen e paligjshme në rrjet. "Projekti i ujësjellësit të ri parashikon shtrirjen e tubacioneve përgjatë rrugëve automobilistike, pasi kësisoj shmangen ndërhyrjet e paligjshme nga individë të veçantë në rrjetin kryesor të ujësjellësit", tha ai. Ndërtimi i këtij ujësjellësi është mundësuar përmes fondit prej reth 3,5 milionë euro akorduar nga Drejtoria e Ujësjellës-kanalizimeve dhe parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm. Aktualisht mbi 35 mijë konsumatorë të qytetit të Kukësit dhe 14 fshatrave furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Kolosjanit dhe i Lojmes, 3 herë në ditë, nga 1 - 2 orë./ch/
KOMENTE