English

Lsi/Rama: Reforma Zgjedhore, Sfidë Për Klasën Politike Shqiptare

TIRANE, 30 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - "Fillimi i reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, është një sfidë me të cilën duhet të ballafaqohet klasa politike dhe për të cilën duhet angazhimi dhe kontributi nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë", deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama. Në një konferencë për shtyp Rama apeloi për kontribut nga të gjitha forcat politike në vënd për të realizuar një reformë zgjedhore, që të garantojë një proces zgjedhor transparent, të pakontestueshëm, dhe që të lexojë në mënyrë sa më të qartë dhe të drejtpërdrejtë vullnetin e votuesve shqiptarë. "Edhe PS e ka theksuar që synon transparencën në funksion të infrastukturës për të realizuar zgjedhjet e ardhshme sipas standardeve evropiane, atëherë le t'i lëmë fjalët dhe të fillojmë nga puna", theksoi Rama Ai shtoi se "edhe iniciativa e fundit e LSI-së për realizimin e kësaj reforme është në rrjedhën e zhvillimeve evropiane të vendit". "Për këtë arsye ne shpresojmë dhe besojmë se edhe të tjerët do ta kuptojnë domosdoshmërinë e këtij aksioni të rëndësishëm, sepse sot reforma zgjedhore është padyshim njëra prej sfidave më të mëdha me të cilën duhet të ballafaqohet politika shqiptare", tha ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i LSI./s.s./
KOMENTE