English

LSI, Rama:Reforma zgjedhore të garantojë transparencën

Tiranë, 30 qershor, NOA – Ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi sot se duhet të nisë sa më parë reforma zgjedhore sipas standardeve dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për të garantuar standardin e zgjedhjeve të ardhshme, reformë për të cilën sikundër edhe lideri i LSI-së, Ilir Meta tha se kërkohet gjithpërfshirje e aktorëve politikë.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi në një konferencë për shtyp se kjo reformë është e domosdoshme “pasi në më pak së një vit nga ky çast do të kemi të bëjmë me zgjedhjet lokale. Ligji, kodi zgjedhor përcakton qartë që në 6 muajt e fundit para zgjedhjeve nuk mund të bëhen më ndërhyrje në infrastukturën ligjore. Duke iu referuar një praktike negative, ku përgjithësisht janë lënë që të bëhen zgjidhjet në momentin fundit, ne dhe një herë apelojmë që është e rëndësishme që sa më parë dhe sa më shpejt dhe me kontributin e të gjithëve të nisim nga puna për të realizuar një reformë zgjedhore që të garantojë proces zgjedhor transparent, të pakontenstueshëm, dhe që të lexojë në mënyrë sa më të qartë dhe të drejtpërdrejtë vullnetin e votuesve shqiptarë”.

Rama e quajti të pavend, çdo replikë të opozitës apo mesazhe bllokuese, që sipas tij artikulohen pa shprehur as minimumin e vullnetit të tyre për tu ulur në këtë tryezë.

LSI, tha sekretari Rama, po punon për të pasur draftin e vet të propozimeve për ndryshimin e reformës zgjedhore.

Duke nënvizuar, transparencën si një nga kushtet themelore të drafteve të LSI-së sa i përket ligjshmërisë së ndryshimeve në reformë, një kusht, të cilin e theksojnë edhe socialistët, në të mirë të funksionimit të infrastrukturës së zgjedhjeve, Luan Rama vuri në dukje se nevojitet tashmë kontributi konstruktiv i socialistëve në të mirë të këtij procesi të reformës zgjedhore.

Sipas Ramës, kompromisin për këtë reformë të rëndësishme e kanë nënvizuar në mënyrë permanente edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët presin që kjo reformë sipas standardeve evropiane të materializohet konkretisht.

I pyetur për kohën e mbetur për realizimin e reformës përpara zgjedhjeve vendore, Rama theksoi se “ka një limit kohor në të cilin duhet zhvilluar reforma zgjedhore, prandaj ne po kërkojmë me ngulm që të fillojmë nga puna. Kur flasim për reformë zgjedhore nuk kemi parasysh interesa individuale, as partiake, dhe as interesa grupesh interesi që nuk kanë asnjë të përbashkët me qëllimin evropian të vendit, por kemi të vetmin interes që në Shqipëri institucioni i zgjedhjeve të jetë një institucion solid dhe i pakontenstueshëm më, që zgjedhjet të realizohen në standarde evropiane”.

Duke qenë se opozita nuk ka dhënë asnjë shenjë bashkëpunimi për reformën zgjedhore, madje dje deklaroi se pa transparencë nuk bëjnë asnjë kompromis për reformën, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se “ka një reagim përgjithësisht pozitiv nga shumë aktorë politikë në vend. Pas tryezës së konsultës që realizoi LSI-ja, një qëndrim refraktar i Partisë Socialiste, nuk është aspak kredoja dhe shqetësimin permanent i artikuluar nga kjo parti. PS ka thënë në gati më shumë se një vit dhe është fokusuar tek domosdoshmëria e transparencës. Atëherë transparenca nuk është çështje që zgjidhet në konferenca shtypi, nuk mund të zgjidhet mes zëdhënësit e shtypit. Transparenca është një çështje ligjore, por edhe kushtetuese. Ndaj draftet e palëve që synojnë përmirësimin ligjor janë mundësia më e mirë për tu ulur në tryezën e punës dhe për të futur në kodin zgjedhor dhe në të gjithë korpusin e akteve ligjore dhe nënligjore, domosdoshmërinë e transparencës”.

Rama i ftoi edhe njëherë palët që të japin kontributin e tyre për transparencën, pikërisht me përmirësimin e paketës zgjedhore, me të cilën janë zhvilluar zgjedhjet deri tani.

mit/NOA

KOMENTE