Matura- Rezultatet E Matematikës Këtë Vit Më Të Larta
TIRANË, 30 Qershor/ATSH/.- Mbyllet procesi i korrigjimit për provimin e dytë të Maturës 2010, që u zhvillua më 15 qershor në lëndën e matematikës.
Sipas AVA-s, këtë vit arritjet e maturantëve rezultojnë të jenë më të larta, krahasuar me një vit më parë.
Grupet e vlerësimit bëjnë të ditur se këtë vit më shumë nxënës kanë marrë pikët e duhura për notat e nivelit mesatar dhe atij të mirë, teksa nuk kanë munguar edhe vlerësimet maksimale, por më të pakta në numër.
Skema e vlerësimit është drejt përfundimit, ku grupet e ekspertëve do të mundësojnë korrespondimin e pikëve me emrin e maturantit, duke identifikuar kështu barkodin.
Shpallja e këtyre rezultateve pritet në ditët në vijim, pas zhvillimit të sotëm të provimit me zgjedhje, që është dhe prova e fundit për garën e pranimeve në universitete.
Edhe për rezultatet e matematikës, maturantët mund të kërkojnë fotokopjen e testit për ta parë, por nuk mund të kërkojnë rillogaritje të rezultatit./e.gj/s.s./