Mbi 110 Fëmijë Të Sëmurë Me Insuficencë Renale Kronike
TIRANË, 30 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Mbi 110 fëmijë janë të sëmurë me insuficencë renale kronike, bazuar në regjistrin e 5 viteve të fundit në Spitalin Pediatrik, tha sot Rezart Xhepa, shef i Shërbimit të Nefro-pediatrisë dhe Dializës në Spitalin Pediatrik në Qendën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Një pjesë e këtyre fëmijëve janë transplantuar falë programeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe organizmave humanitare jashtë vendit dhe tani jemi në dispozicion të tyre, thotë Xhepa.
Ndërkohë, sipas tij, sa u takon rasteve të reja, në një vit mund të ketë 10-15 të sëmurë me insuficenca renale acute, që mund të kronicizohen. "Kjo është sëmundje e rëndë dhe ka vdekshmeri të lartë kudo në botë", u shpreh Xhepa, duke shtuar se "ajo që ofron hemodializa është përgatitja e tyre për t'u transplantuar, proces i cili ka filluar vitin e kaluar në QSUT". Ky intervent do të ofrohet dhe për pacientët e vegjël.
Me krijimin e Qendrës së Hemodializës për fëmijë, ofrohet një shërbim i ri që ofron praktikisht dializën në moshën pediatrike dhe që është e rëndësishme. Kontigjenti i të sëmurëve deri më sot nuk e kishte këtë shërbim. Ndërsa vlerëson standardet europiane të Qendrës së ngritur me financim të Agjencisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar Turqisë, Xhepa thotë se "është reformim i jashtëzakonshëm i sistemit".
Shërbimi i Nefro-pediatrisë në QSUT ndjek dhe mjekon numër të madh problematik pacientësh, të cilët kërkojnë ofrimin e këtij shërbimi, përfshirë dhe të sëmurët me insufiçencë renale. Ky kontigjent kërkon kushte mjaft specifike dhe hospitalizim.
Në total (pacientë fëmijë dhe të rritur), sa i përket insufiçencës renale, janë rreth 350 pacientë që marrin shërbimin e dializës në Shqipëri. Të dhënat flasin për mbi 100 pacientë të rinj çdo vit, që paraqesin nevojë për dializë. /a.ke/