English

Morton Abramovitz: Kosova, gati për negociata të mundshme për ndarje

Uashington, 30 Qershor, NOA – Një nga skenarët me të cilat mund të përballet Kosova, mund të jenë negociatat politike të propozuara nga serbët me mundësinë e diskutimit të fatit të rajoneve serbe të veriut.

Një fakt të tillë e ka deklaruar eksperti dhe ish-diplomati i njohur amerikan, Morton Abramovitz, sipas të cilit kjo nuk është çudi të ngjasë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne nuk e dimë se cili do të jetë ky vendim, por nëse është në favor të Kosovës do të sillte si rezultat shumë më tepër njohje, gjë që do të ishte shumë pozitive”, ka thënë Abramoëitz në një intervistë për VOA.

Por shton se nuk do të ndodhë kështu, atëherë Serbia do të kërkojë negociata të reja me Kosovën dhe nuk do të bëhet fjalë për negociata teknike, siç po flitet, për pasaporta dhe dogana, por do të jenë në fund të fundit negociata për katër distriktet e veriut të Kosovës.

Sipas tij, ka gjasa dhe duhet marrë me mend që Serbia do të kërkojë paskëtaj negociata më serioze për rajonet veriore të Kosovës, të cilat janë pothuajse plotësisht të banuara dhe të kontrolluara nga serbët.

“Tani çdo gjë varet nga opinioni i Gjykatës, por mendoj se Serbia po mendon se çfarë të bëjë pas këtij opinioni. Mendimi im është që edhe qeveria e Kosovës po bën të njëjtën gjë. Unë shpresoj që edhe qeveritë perëndimore, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të jenë duke analizuar situatën dhe mënyrën sesi do të reagojnë me llojin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Abramovitz.

Në fund ai e ka mbyllur komentin e tij duke pohuar se ndarja e Kosovës do të ishte e rrezikshme për rajonin.

n.e/NOA

KOMENTE