Nenshkruhet Marreveshja Me Unicredit Bank Austria Me Vlere 6 Milione Euro Per Modernizimin E Sistemit Shendetesor
TIRANE, 30 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe përfaqësuesi i Unicredit Bank Austria AG, Gerd Rose, nënshkruan të mërkurën marrëveshjen me vlerë 6 milionë euro për pajisjen me CT-scaner dhe aparat rezonance manjetike të 6 spitaleve rajonale kryesore.
Ministria e Financave, në zbatim të marrëveshjes kuadër me qeverinë austriake për kredinë 25 milionë euro, kërkoi përdorimin e një pjese të fondeve për përmirësimin e pajisjeve imazherike për financimin e projektit të modernizimit të 6 spitaleve rajonale kryesore, aparatura të cilat shërbejnë për përcaktimin e një diagnoze sa më të shpejtë dhe të saktë që vlerësohet si determinante në suksesin e trajtimit dhe prognozën e të sëmurit.
Ministri Bode theksoi se sigurimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kujdesit shëndetësor për popullatën është objektiv parësor i qeverisë shqiptare, ku sipas tij, vëmendje e veçantë po i kushtohet aksesit ndaj shërbimeve, cilësisë, qëndrueshmërisë financiare si dhe efiçencës të ofruesve të shërbimit.
Kredia e akorduar prej 25 milionë euro, pjesë e së cilës ishte edhe fondi prej 6 milione euro që do të shkojnë në sistemin shëndetësor nga qeveria austriake, do të shërbejë për modernizimin e sektorit të shëndetësisë dhe për financimin e projekteve për ujesjellës-kanalizimet. /a.ke/