Nis Kupa E Republikës "Steka E Arte" Në Kukës
KUKËS, 30 Qershor/ATSH- R.Hoxha/- Në qytetin e Kukësit nisi sot në mbrëmje maratona për kupën e Republikës "Steka e Artë", në sportin e bilardos.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj gare, nënkryetarja e bashkisë së Kukësit, Alketa Cenaj, shprehu angazhimin e bashkisë për të zhvilluar këtë sport, ndërsa u uroi fat bilardistëve të ardhur nga rrethet e tjera të vendit.
Gjatë mbrëmjes së sotme do të konkurrojnë 16 bilardistë nga më të mirët e Shqipërisë, që do të ndeshen mes njëri- tjetrit me sistem eliminimi. Ndërsa nesër do të ndeshen fituesit, të cilët do të nxjerrin kampionin në sportin e bilardos të Shqipërisë.
Ndeshjet, që po zhvillohen në sheshin kryesor të qytetit, po ndiqen nga qindra sportdashës. Kupa e Republikës në sportin e bilardos do të zgjasë dy ditë, ndërsa është e dyta veprimtari e këtij lloji që organizohet në qytetin e Kukësit.
Sekretari i klubit sportiv të Kukësit, Astrit Shehu, tha se nisur nga pjesëmarrja e gjerë e bilardistëve, ndeshjet mund të vazhdojnë deri në mesnatë.
Në qytetin e Kukësit është hera e dytë që gjatë 5 viteve të fundit organizohet Kupa e Republikës në sportin e bilardos, një sport që ka një shtrirje të gjërë në këtë qytet./s.s./