English

Një Ditë Në Departamentin E Ekonomisë Në Agjencinë Franceze Të Lajmeve, Afp

- Flet për ATSH-në shefi i departamentit të Ekonbomisë në AFP, Philippe Onillon - PARIS, 30 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/ - "Shqipëria është vend me demokraci të re, që vitet e fundit ka ndryshuar shumë, me një politikë të re, me shumë reforma në ekonomi dhe sistemin e politikës. Përpjekjet që ka bërë Shqipëria kanë ndryshuar ekonominë, duke e bërë kështu, integruese në Europë", u shpreh sot për ATSH-në, shefi i Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit në Agjencinë Franceze të Lajmeve ( AFP), Philippe Onillon. Mjafton një vizitë në departamentin e Ekonomisë në AFP për të kuptuar punën voluminoze që bëjnë çdo ditë aty të 50 gazetarët dhe redaktorët. "Ne botojmë çdo ditë në departamentin e Ekonomisë 500-6000 lajme, histori dhe artikuj rreth ekonomisë. Këtu punojnë 50 gazetarë e redaktorë, 30 prej të cilëve janë në pritje të lajmit, ose dalin në terren për t'a bërë atë, ndërsa 20 qëndrojnë në news room", shpjegon punën Philippe. Ai shpjegon më tej ndarjen e punës së gazetarëve në këtë departament, ndër më kryesorët në AFP. "Të ndarë sipas institucioneve që ka Franca, tre gazetarë pasqyrojnë gjithë informacionin ditor të ekonomisë kombëtare nga ministria e Ekonomisë, Buxheti duke shkruar rreth ekonomisë këtu në Francë. Janë 2 gazetarë të tjerë që shkruajnë vetëm për bankat Franceze, tre të tjerë punojnë për bursat, dy për Telekomin, internetin, teknologjinë, dy gazetarë shkruajnë për industrinë, farmaceutikën, 2 të tjerë për naftën, gazin, ndërtesat dhe rrugët, ndërsa katër gazetarë të tjerë shkruajnë rreth transportit, metrotë, trenat, autobuzët dhe linjat ajrore". Gjithashtu në këtë departament janë dhe 4 gazetarë, të ndarë për agrobujqësinë, restorantet e Francës, tabakeritë, superamarketet dhe për turizmin. "Në departamentin e Ekonomisë kemi edhe 6 gazetarë të tjerë, që qëndrojnë në news room, në pritje të lajmit të papritur, ose në çdo moment, të gatshëm të zëvëndësojnë kolegët. Edhe puna e tyre është full - time, ndërsa janë edhe katër menaxhues". Shefi i departamentit të Ekonomisë, Philippe Onillon shpjegon mënyrën e marrjes së informacionit në sektor. "Nuk është e nevojshme që gazetari të dalë në terren, pasi shumë lajme vijnë nëpërmjet e-mailit, apo telefonit, ndaj ka shumë raste, që gazetari nuk del jashtë në terren por punon në news -room. Zëdhënësja e ministrisë telefonon dhe nis informacionin nëpërmjet e-mailit, ndërsa gazetarët dalin në terren në rastet kur ka konferenca të rëndësishme për shtyp. Por jo çdo ditë, sepse departamenti i Ekonomisë nuk është si ai i informacionit të përgjithshëm, ku gazetari duhet të dalë kur ndodh një aksident në rrugë". Me një përvojë të gjatë pune në fushën e gazetarisë, Philippe Onillon ka rreth kater vjet që është zgjedhur shef i departamentit të Ekonomisë në AFP. "Kam 21 vjet që punoj në AFP. E kam nisur punën në vitin 1989 si fillim në zyrat e AFP-së në Lion e më pas erdha në Paris në AFP si gazetar i politikës. Deri në vitin 2002 punova në zyrat e AFP-së në Londër, e më pas shef i news-roomit në departamentin e Ekonomisë për tre vjet. Tashmë kam katër vjet që jam shef departamenti", thotë ai. Philippe e pëlqen punën që bën në këtë departament, që lidhet me ekonomimë, por edhe sepse aty punojnë mjaft gazetarë të rinj, që sjellin dinamizëm. "Më pëlqen të punoj në departamentin e ekonomisë, pasi ekonomia tani është shumë e rëndësishme për jetën e njerëzve dhe për vendin. Por më pëlqen të punoj këtu, sepse ka shumë gazetarë të rinj, të cilët janë me të vërtetë dinamikë. Gazetarët e vjetër preferojnë të punojnë në politikë, ose në news-room. E pëlqej ekonominë, sepse kështu ke mundësi t'u shpjegosh njerëzve situatën ekonomike. Ndërsa në politikë gjithçka për t'u shpjeguar apo për t'u treguar është e lehtë". Teksa mbyll këtë bisedë, shefi i departamentit të Ekonomisë në AFP, Philippe Onillon thotë se ndihet tepër krenar që punon aty. "Puna ime është shumë e vështirë, por intersante", shprehet ai./n.m/
KOMENTE