English

OJQ-të peticion publik kundër projektit të Financave për kontrollin ndaj tyre

Tiranë, 30 Qershor, NOA – Përfaqësuesit e organizatave jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare, kanë reaguar përmes një peticioni publik kundër projektligjit “Për Inspektimin Financiar Publik”, që sipas të dhënave, është votuar në parim në Kuvend, sipas tyre, pa u konsultuar dhe pa marrë asnjë mendim paraprak nga grupet e interesit.

“Përmes këtij peticioni, ne kërkojmë të shprehim shqetësimin tonë maksimal në lidhje me mënyrën si ky projektligj është hartuar dhe për mënyrën e paprecedentë që po ndiqet për miratimin në seancë plenare, pa i dhënë mundësi të gjithë partnerëve të interesuar që të shprehin mendimet e tyre. Ndonëse ne nuk duam të hedhim dyshime mbi procesin, nuk mund të rrimë pa përmendur faktin se mos-konsultimi i tij i gjerë me shoqërinë civile, është treguesi i qëllimeve të vërteta të projektligjit”, citohet në këtë peticion.

Duke shtuar se “nëse p/ligji në fjalë miratohet, ai kërcënon në mënyrë të hapur me gjoba dhe deri në burgim çdo përfaqësues të OJF-ve që mund të dalë kundër qeverisë dhe përfaqësuesve të saj”.

“Ne me keqardhje konstatojmë se projekt-ligj ka tendencën që të shkelë një nga të drejtat bazë demokratike, atë të pavarësisë së organizatave joqeveritare nga qeveria dhe institucionet e saj”, citon peticioni në fjalë.

Duke shtuar se ai shkel në këtë mënyrë edhe të drejtën e lirisë së organizimit, një e drejtë e gdhendur në Kushtetutën e Shqipërisë.

“Në vetvete, projektligji duket sikur rregullon marrëdhënien e kontrollit dhe inspektimit financiar të subjekteve që përfitojnë nga fondet publike. Ndonëse në pamje të parë duket se fryma e ligjit ka qëllim pozitiv, në brendësi të tij bëhet e qartë se qëllimi i këtij projektligji është që të vendosë nën kontrollin përfundimtar të qeverisë organizatat joqeveritare në Shqipëri”, pohojnë më tej drejtuesit e OJQ-ve në vend, të bashkuar në një zë kundër projektit të ri të qeverisë që synon auditivin e fondeve të tyre.

Konkretisht, në nenin 3 të këtij projektligji thuhet se “subjekt i inspektimeve financiare publike janë njësitë publike dhe individët, që në kuptim të këtij ligji, përfshijnë përveç të tjerash, edhe OJQ-të si dhe çdo njësi apo individ që përfiton fonde publike a fonde në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare në lidhje me këto fonde”.

n.e/NOA

KOMENTE